Hazard nxit spekulimet për transferimin e Mbappes dhe Pogbës në Real Madrid

  • 14 June 2019 - 09:41
Hazard nxit spekulimet për transferimin e Mbappes dhe Pogbës në Real Madrid

Ylli i ri i Real Madridit, Eden Hazard, i lavdëroi Kylian Mbappen e Paris Saint-Germainit dhe Paul Pogbën e Manchester Unitedit, në mes të spekulimeve për transferime të mundshme të kësaj dysheje te “Los Blancos”.

Eden Hazardi u prezantua si lojtar i Real Madridit të martën, pasi e kompletoi transferimin e tij nga Chelsea për një shumë që raportohet se kap vlerën prej 130 milionë eurosh.

Ylli i PSG-së Mbappe dhe mesfushori i Manchester Unitedit Pogba janë gjithashtu të lidhur me transferime në Real Madrid, ku Zinedine Zidane ka filluar ta rindërtojë skuadrën e vet.

Përderisa Hazardi nuk ishte shumë i interesuar që të flasë për lojtarë të tjerë në Real Madrid, ai tha se kjo dyshe ishte ndër më të mirët në botë.

“Nuk jam këtu për të diskutuar për transferime. Kam ardhur për të luajtur me më të mirët”, tha Hazardi në konferencën për shtyp.

“Tashmë kanë ardhur lojtarë të rinj dhe neve do të na duhet pak kohë për t’u përshtatur”.

“Është e vërtetë që ne duam të luajmë me më të mirët dhe djelmoshat që ju i përmendët janë dy ndër ta. Por, unë nuk vendos për gjëra të tilla”.

Real Madridi tashmë i ka zyrtarizuar marrëveshjet për transferimin e Hazardit, Luka Jovicit, Eder Militaos, Ferland Mendyt dhe Rodrygo Goes para sezonit 2019/20. 

(Kosova Sot Online)