Zënkë e ashpër mes trajnerëve për Botërorin e vashave

  • 14 June 2019 - 11:07
Zënkë e ashpër mes trajnerëve për Botërorin e vashave

Trajneri i ekipit kombëtar të vashave të Anglisë, Phil Neville, e ka  cilësuar Raymond Verheijenin si “luftëtar tastiere”, pasi që ish-ndihmëstrajneri i Uellsit e kritikoi në Twitter Kampionatin Botëror të vashave dhe trajnerët burra që po punojnë aty.

Raymond Verheijen ka qenë pjesë e stafit të trajnerëve në skuadrat e Holandës, Koresë së Jugut dhe Rusisë në kampionate të kaluara të mëdha të burrave. Ai ka qenë edhe te disa klube, si Barcelona, Zenit St Petersburg, Chelsea dhe Manchester City.

47-vjeçari i kishte kritikuar publikisht metodat e disa trajnerëve të Premierligës. Në vitin 2013, ai i kishte quajtur taktikat e ish-trajnerit të Manchester Unitedit, David Moyesit, si “dinosaure”.

Në një postim në Twitter të enjten, holandezi Verheijen tha se standardi i lojës në Kampionatin Botëror në Francë është tronditës dhe se skuadrat po drejtohen nga trajnerë që s’dinë asgjë por kanë mbetur jashtë futbollit të burrave.

“Deri më tani, do të kishte qenë më parë sikur Kupa e Botës të ishte luajtur prapa perdeve. Niveli i lojës ka qenë tronditës, sikur ta shikosh barin duke u rritur”, shkroi Verheijen.

“Njëra ndër arsyet është pasi që shumica e skuadrave drejtohen nga trajnerë që s’dinë asgjë por kanë mbetur jashtë futbollit të burrave. Në vend të tyre duhet të jenë trajneret më të mirë gra”.

Trajneri i Anglisë, Neville, u pyet për këto komente të holandezit gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kundër Argjentinës, në grupin D të Botërorit.

“Ai e ka kritikuar Sir Alex Fergusonin, Arsene Wengerin, Mauricio Pochettinon, Jurgen Kloppin. Ai i është gjuajtur çdo trajneri më të mirë në botë”, ka thënë Carrick.

“Ndoshta ai e pati atë kritikë për mua sepse kur unë isha në stafin e trajnerëve të Manchester Unitedit, ai e kritikonte David Moyesin. Ai i gjuhet të gjithëve”.

“Ai është një luftëtar tastiere. Ai ulet dhe flet për ndeshje të mrekullueshme, por unë kurrë s’e kam parë atë duke punuar në futbollin e nivelit më të lartë. Kjo është arsyeja pse ai s’mund të gjejë punë”.

“Të gjithë mund të flasim për ndeshje të mira. Raymond – dil atje dhe gjeje një punë. Shko fitoje titullin e Ligës së Kampionëve, shko dhe fitoje titullin e Premierligës. Këtë gjë e ka bërë Wengeri dhe njerëzit të cilët ai i kritikon”.

“Kjo është edhe arsyeja pse ai e ka një vezë pranë emrit të vet në Twitter”.

(Kosova Sot Online)