Kjo është renditja e kundërshtarëve të Kosovës në ranglistën e re të FIFA-s?

  • 14 June 2019 - 11:52
Kjo është renditja e kundërshtarëve të Kosovës në ranglistën e re të FIFA-s?

Kosova ka shënuar përsëri ngritje në ranglistën e re të FIFA-s, ndërsa të njëjtin fat nuk e kanë pasur edhe të gjitha kundërshtaret e saja në Grupin A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Ndeshjet e muajit qershor bënë që Kosova të ngrihet për gjashtë pozita më lart në ranglistën e re të FIFA-s dhe tani radhitet e 121-ta. “Dardanët” barazuan kundër Malit të Zi, ndërsa e mposhtën Bullgarinë.

Katër pikët e fituara nga këto dy ndeshje bëjnë që Kosova të renditet e treta në Grupin A, ku garojnë edhe Anglia, Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Por, si radhiten këto kundërshtare të Kosovës për kualifikim në EURO 2020 në ranglistën e re të FIFA-s.

Anglia nuk ka lëvizur nga pozita e saj në ranglistën e FIFA-s. Ajo mbetet në pozitën e katërt, me pesë pikë të fituara nga ndeshjet e qershorit.

Gjatë muajit qershor, skuadra e Gareth Southgate nuk zhvilloi ndeshje në kuadër të EURO 2020, por në kuadër të Ligës së Kombeve. Ata humbën në gjysmëfinale kundër Holandës me rezultat 3:1, ndërsa fituan kundër Zvicrës në ndeshjen e vendit të tretë, që u vendos nga penalltitë.

Çekia është ngritur për plot shtatë pozita në ranglistën e FIFA-s dhe tani radhitet e 41-ta në botë. Ndeshjet e qershorit ia fituan asaj 24 pikë.

Republika Çeke fitoi me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Bullgarisë më 7 qershor, ndërsa në ndeshjen e tjetër e mposhti Malin e Zi me rezultat 3:0.

Mali i Zi ka rënë për dy pozita në këtë renditje të përditësuar nga FIFA dhe tani radhitet në pozitën e 53-të, me 18 pikë më pak sesa në listën e kaluar.

Gjatë muajit qershor, Mali i Zi e barazoi me rezultat 1:1 ndeshjen kundër Kosovës, ndërsa pësoi disfatë me rezultat 3:0 kundër Çekisë.

Bullgaria e ka marrë lajmin më të keq nga të gjitha skuadrat e Grupit A të kualifikimeve për EURO 2020. Ajo ka rënë për gjashtë pozita dhe tani radhitet në vendin e 57-të, me 31 pikë më pak.

Bullgaria fillimisht u mposht nga Republika Çeke me rezultat 2:1, ndërsa tri ditë më vonë e mori goditjen e radhës. Kosova e mposhti në Sofje me rezultat 3:2.

(Kosova Sot Online)