“L’Equipe” zbulon paralajmërimin e rreptë të Real Madridit për Pogba

  • 14 June 2019 - 15:26
“L’Equipe” zbulon paralajmërimin e rreptë të Real Madridit për Pogba

Pasi ka zyrtarizuar blerjet e Rodrygo, Eder Militao, Luka Jovic, Eden Hazard dhe Ferland Mendy, nënshkrimi i ardhshëm i Real Madridit duhet të jetë një mesfushor. Paul Pogba është më i pëlqyeri i Zinedine Zidane (Eriksen është gjithashtu në listë). Arsyet pse trajneri francez e dëshiron yllin e Manchester United zbërthehen sot në “L'Equipe”.

Përveç kësaj, në revistën e njohur sportive franceze tregohen edhe “kufijtë” që i janë vendosur futbollistit kampion bote. Flitet se Juventusi është kthyer në “ankandin” për Pogba, ndaj mund ta ndërlikojë së tepërmi operacionin e të bardhëve. Po ashtu, pretendimet e agjentit të tij, Mino Raiola, mund të bëhen problem.

“L'Equipe” është bazuar në deklaratat e një menaxheri të Real Madridit, të cilit nuk i jepet emri, duke nënvizuar mosmarrjen e Pogba me çdo çmim: "Nëse për emra si Neymar apo Mbappé mund të ofrojmë rroga 20 milionë euroshe në vit, sepse janë yje të mëdhenj botërorë, për një lojtar si Pogba, i cili është edhe ai i mirë, shifra duhet të ulet. Ai nuk mund të bëhet menjëherë lojtari më i paguar te Real Madridi. Pogba duhet të mendohet për këtë, pastaj të bëjë atë që e këshillojnë".

Me sa duket, përfaqësuesi i tij do të përpiqet ta detyrojë klubin e bardhë, sikurse bëri me Manchester United, që ta paguajë shumë lojtarin dhe rrjedhimisht, në këtë mënyrë merr komision më të lartë për vete.

(Kosova Sot Online)