Serbia shkarkon trajnerin, pritet emërimi i ish-trajnerit të Malit të Zi që s’luajti kundër Kosovës

  • 14 June 2019 - 15:35
Serbia shkarkon trajnerin, pritet emërimi i ish-trajnerit të Malit të Zi që s’luajti kundër Kosovës

Në takimin e djeshëm të Komitetit për Probleme Urgjente të Federatës së Futbollit të Serbisë, anëtarët e këtij Komiteti vendosën ta shkarkojnë Mladen Krstajicin nga pozita e trajnerit, pas disfatës me rezultat 5:0 kundër Ukrainës. Në vend të tij pritet të emërohet ish-trajneri i Malit të Zi, Ljubisa Tumbakovic.

Në zyrat e Federatës së Futbollit të Serbisë u takuan presidenti i kësaj federate, Slavisa Kokeza, dhe anëtarët e Komitetit për Probleme Urgjente – Nenad Bjekovic, Slobodan Ilic, Ilija Petkovic, Dragan Simovic dhe Novica Tonvec.

Pas rreth dy orësh diskutime, Federata serbe mori vend që ta ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Krstajic, i cili e mori drejtimin e Kombëtares së Serbisë në nëntor të vitit 2017 dhe e drejtoi këtë skuadër për 19 ndeshje.

Disfata e thellë, me rezultat 5:0, kundër Ukrainës në xhiron e tretë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, ia kushtoi Krstajicit pozitën e trajnerit.

E përditshmja serbe, Novosti, raporton se tashmë kanë filluar bisedimet për emërimin e Ljubisa Tumbakovicit në pozitën e trajnerit dhe zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje pritet të bëhet gjatë dy apo tri javëve të ardhshme.

Kjo do të thotë që Tumbakovici e ka fituar pozitën e trajnerit të Serbisë pasi iu dorëzua presionit serb dhe nuk pranoi të luajë në ndeshjen e Malit të Zi kundër Kosovës, përkundër që ishte në atë kohë trajner i Malit të Zi.

Tumbakovici, i lindur në Serbi, e humbi pozitën e trajnerit të Malit të Zi menjëherë të nesërmen pas ndeshjes kundër Kosovës, në të cilën ai nuk kishte pranuar të merrte pjesë pasi që këtë e shihte si pranim të shtetësisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)