Pochettino dorëzon një listë me 4 talente dhe pret përgjigje

  • 14 June 2019 - 16:16
Pochettino dorëzon një listë me 4 talente dhe pret përgjigje

Mauricio Pochettino është kthyer në Barcelonë, aty ku jeton prej shumë vitesh, dhe shijon pushimet, në pritje të lëvizjeve të Tottenhamit. Trajneri argjentinas shpreson që presidenti Daniel Levy të kënaqë kërkesat etij në merkato, që përfshijnë 4 emra klasi: Tanguy Ndombélé, Donny van de Beek, Nicolò Zaniolo e Ryan Sessegnon, raporton The Guardian.

 

Pochettino kërkon ta rifreskojë ekipin dhe tashmë që stadiumi i ri ka përfunduar së ndërtuari, klubi duhet të rinisë investimet, sepse nuk ka blerë asnjë futbollist prej janarit 2008. Nëse kjo nuk ndodh, nuk është çudi që Pochettino të largohet nga stoli i skuadrës londineze.

Sezoni i ri për Spurs do të nisë në 8 korrik dhe premtimi i parë që klubi i ka bërë trajnerit është që të mos shesë asnjë nga lojtarët kryesorë të ekipit. Skuadra është e vogël dhe stoli shpesh është bosh, ndaj duhen disa përforcime cilësore për të tentuar suksesin në Champions League dhe Premier League, mbi të gjitha në këtë të fundit.

Image

Synimi i Pochettinos është të shmangë luhatjet e sezonit të shkuar, kur Tottenhami mund të fitonte ndaj rivalëve më të fortë në Premier, por edhe të mposhtej nga skuadra të fundtabelës.

Në një skuadër që nuk është më me moshë mesatare shumë të re, Tottenham duhet të gjejë mënyrën për të larguar disa lojtarë që janë nën kontratë, por ndërkohë blerjet që kërkon Pochettino kanë kosto të frikshme. Ndombele kushton rreth 75 milionë euro, Van de Beek po ashtu është ndër lojtarët më të kërkuar në Europë, Zaniolo nuk lëshohet lehtë nga Roma, ndoshta e vetmja rrugë është të shitet Christian Eriksen, lojtari më i shtrenjtë dhe më i kërkuar te Spurs.

(Kosova Sot Online)