Neymar: E vërteta do të dalë në shesh herët apo vonë

  • 14 June 2019 - 20:22
Neymar: E vërteta do të dalë në shesh herët apo vonë

Neymari ka qenë në stacionin policor në Sao Paulo për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve për akuzat për përdhunim të bëra ndaj tij.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit i mohoi të gjitha pretendimet se ai e kishte përdhunuar Najila Trindaden, të cilët e kishte njohur përmes Instagramit, dhe ai insiston se është viktimë e shantazhit dhe shpifjeve.

Braziliani arriti në stacioni policor veshur në rroba me ngjyrë të zezë dhe me paterica për shkak të lëndimit në kyçin e këmbës së tij të djathtë. 

Hetuesja Juliana Bossacos e takoi Neymarin në mes të një rrëmuje të mediave dhe turmës së tifozëve që e brohorisnin 27-vjeçarin, i cili është lojtari më i famshëm brazilian.

Neymari mohon të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar dhe ai u shoqërua në këtë takim nga avokatët e tij.

“Faleminderit për mbështetje të gjithëve. Unë jam shumë i qetë. E vërteta herët apo vonë do të dalë në shesh. Dhe dëshira e vetme që e kam në këto momente është që kjo të përfundojë sa më parë. Faleminderit”, u shpreh Neymar.  

(Kosova Sot Online)