Icardi përgatitet ta padisë Interin

  • 15 June 2019 - 16:33
Icardi përgatitet ta padisë Interin

Sipas të përditshmes italiane, La Repubblica, Mauro Icardi, është duke përgatitur veprime ligjore për ta përfunduar kontratën e tij me Interin, për shkak se është ndierë i keqtrajtuar në vendin e punës.

Sulmuesi argjentinas është lajmëruar se ai nuk është më pjesë e planeve të Interit për sezonin e ardhshëm dhe trajneri i ri, Antonio Conte, nuk dëshiron ta ketë atë në stërvitjet parasezonale.

Deri më tani Icardi i ka refuzuar një numër të madh të ofertave nga disa klube të ndryshme të mëdha evropiane dhe insiston se dëshiron të qëndrojë në Inter, ose të shkojë në Juventus.

Gazeta La Repubblica sugjeron se Icardi dhe agjentja e bashkëshortja e tij, Wanda Nara, janë duke u përgatitur për ta paditur në gjykatë klubin italian.

Ai do të akuzojë klubin me pretendimin se klubi po tenton ta detyrojë atë të largohet nga vendi i punës së tij përmes keqtrajtimeve, izolimit dhe frikësimit.

Nëse Icardi detyrohet të stërvitet i ndarë prej pjesës tjetër të grupit, ai mund ta fitojë këtë proces gjyqësor. Këtë gjë e kishte bërë Goran Pandev kur e kishte paditur Lazion që ia kishte përfunduar kontratën para kohe.

Një gjë e tillë do ta lejonte Icardin të largohej nga klubi si transferim i lirë menjëherë, përkundër që kontrata e tij në San Siro është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021.

Të gjitha problemet filluan kur Icardit iu mor shiriti i kapitenit për arsyet të cilat ende mbeten të paqarta. Ky moment do t’i shërbejë Icardit si momenti kur klubi filloi ta keqtrajtojë.

Në anën tjetër, klubi mund të argumentojë se Icardi kishte refuzuar të stërvitej me pjesën tjetër të skuadrës zikaltër. Icardi pretendonte se nuk mund të stërvitej për shkak të një lëndimi të gjurit, mirëpo testet mjekësore zbuluan se lëndimi ishte minimal. 


(Kosova Sot Online)