Muriqi pranon ofertën e Galatasarayt, mediat turke zbulojnë pagën e tij

  • 15 June 2019 - 22:28
Muriqi pranon ofertën e Galatasarayt, mediat turke zbulojnë pagën e tij

Përkundër që sot u raportua se Lazio është futur në garë për transferimin e yllit kosovar, media turke Aksam raporton se Vedat Muriqi tashmë e ka pranuar ofertën e Galatasarayt, ku do të paguhet 1.7 milion euro në vit.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka zhvilluar një sezon fantastik në Turqi me Rizesporin dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga skuadra të mëdha evropiane.

Sipas asaj që raportuan “ LaLazioSiamoNoi” dhe “Thelaziali.com”, Lazio e ka seriozisht për shqiptarin, që ka shënuar 17 gola me klubin turk, Rizespor. Drejtori sportiv shqiptar i Lazios, Igli tare, mendon se sulmuesi i Kosovës do të ishte blerje perfektë duke parë çmimin që ka, 5 milionë euro kërkon Rizespori.

Megjithatë, Tare e bëri lëvizjen e tij shumë vonë, pasi që më parë për Muriqin kishin shprehur interesim edhe Galatasaray dhe Fenerbahce, si dhe skuadra franceze, Toulouse.

Mediat turke raportojnë se klubi që i ka siguruar shërbimet e kosovarit për sezonin e ardhshëm është pikërisht Galatasaray, që sezonin e kaluar e mbylli si kampion i Turqisë.

Toulouse ishte klubi që i bëri më së shumti garë Galatasarayt për kosovarin, megjithatë në fund turqit fituan me ofertën prej 1.7 milion eurove në vit. Për ta blerë kartonin e Muriqit, Galatararay duhet t’ia paguajë Rizesporit rreth tre milionë euro.


(Kosova Sot Online)