Reagimi i Rashicës për ‘foren’ e Genc Nuzës

  • 16 June 2019 - 17:39
Reagimi i Rashicës për ‘foren’ e Genc Nuzës

Gjyqtari kosovar i licencuar nga FIFA, Genc Nuza, e “vodhi” shfaqjen në mbrëmjen e yjeve në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën, duke ia bërë një trik Muharrem Sahitit që nxiti të qeshura në gjithë stadiumin.

Ndeshja e bamirësisë mes ekipit të kapitenit Granit Xhaka dhe kapitenit Milot Rashica u mbyll baras 4:4 në një mbrëmje yjesh të shtunën në “Fadil Vokrri”.

Muharrem Sahiti, ndihmës trajneri i Bernard Challandes në ekipin kombëtar të Kosovës, i cili ishte pjesë e ekipit të Xhakës, ra në kurthin e gjyqtarit të Superligës, Nuzës, që për një moment e bëri atë të mendojë se do ta ndëshkonte me karton.

Por, Nuza e nxori nga xhepi një faculetë dhe i fshiu djersët, duke e habitur Sahitin, teksa nuk kishte se si të mos qeshte edhe Milot Rashica, që gjendej fare aty pranë. Sahiti ia zgjati dorën atij dhe u largua duke qeshur bashkë me lojtarët e tjerë në fushë. 


(Kosova Sot Online)