Si e ndihmoi Milot Rashica Vushtrrinë që të rikthehet në Superligë?

  • 16 June 2019 - 20:42
Si e ndihmoi Milot Rashica Vushtrrinë që të rikthehet në Superligë?

Kalimi i Rashicës te Werderi nga Vitesse në vitin 2018, ia kishte siguruar Vushtrrisë 100 mijë euro, para që tani sipas Naser Imerit, i kanë shfrytëzuar për dy sezone për të ndihmuar rikthimin në Superligë. Kështu, Miloti tani është nderuar nga klubi i Vushtrrisë.

Klubi i futbollit, Vushtrria, ka nderuar ish-futbollistin e vet, tash yll i Kombëtares së Kosovës dhe i Werder Bremenit, Milot Rashicën, për kontributin dhe imazhin e dhënë klubit, Vushtrrisë së Kosovës.

Kryetari i klubit, Naser Imeri, ka bërë të ditur se nga kalimi i Rashicës prej Vitesses te Werder Bremeni në janar të vitit 2018, Vushtrria ka fituar 100 mijë euro.

Në një postim në Facebook, duke treguar për mirënjohjen e ndarë, Imeri ka theksuar se ato para janë shfrytëzuar për dy sezone për të ndihmuar rikthimin në Superligë.

“Nga kalimi i Milotit prej Vitesse tek Werder Bremen, klubi ynë përfitoi një shumë prej 100.000 mijë euro, ku 10% të shumës i takuan menaxherit z. Shukri Asllanit i cili ndërmjetësoi punën ligjore mes klubit tonë dhe klubit të Werderit. Këto para të Milotit u shfrytëzuan për sezonet 2017 dhe 2018 ku President i klubit isha unë, dhe rezultoi edhe arritja e synimit tonë Superligës. Faleminderit Milot që na bënë krenar dhe jep kontribut të madh për Vushtrrinë e Kosovën”, ka shkruar ai në Facebook.

Nga Vushtrria Miloti ishte transferuar te Vitesse në Holandë në vitin 2015.

Ai shpërtheu në Holandë dhe në janar të vitit 2018, kaloi në Bundesliga te Werder Bremen.

Fillimisht, 22-vjeçari kishte vështirësi për t’u ambientuar te Werderi, por, viti 2019, ka qenë mbresëlënës për shqiptarin që ka kontribuar me gola dhe asisite, duke u shndërruar në një futbollist shumë të rëndësishëm për klubin gjerman.

Ai e mbylli sezonin me Werderin me 12 gola dhe 6 asiste në 30 ndeshje.

Rashica, së fundmi luajti rrol të rëndësishëm edhe për Kosovën.

22-vjeçari shënoi gol kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë, për ta ndihmuar Kosovën që të marrë katër pikë në këto dy ndeshje të vlefshme për kualifikimet për Euro 2020. 


(Kosova Sot Online)