Kosova i mbyll me humbje kualifikimet për “Euro 2020”

  • 16 June 2019 - 22:05
Kosova i mbyll me humbje kualifikimet për “Euro 2020”

Kombëtarja e Kosovës në hendboll i ka mbyllur me humbje kualifikimet për “Euro 2020”.

Kosova të dielën luajti në Nyrnberg ndaj Gjermanisë, ndërsa humbi me rezultat 28:17.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 16:5, ndërsa në të dytën rezultati ishte i barabartë, 12:12.

Humbja me 11 gola dallim megjithatë nuk vlerësohet shumë e lartë, kur merret për bazë cilësia që ka Gjermania.

Gjermania ka fituar bindshëm të gjitha ndeshjet kualifikuese dhe ishte e vetmja që ka bërë këtë. Gjermanët këtë vit kanë luajtur në gjysmëfinale të kampionatit botëror, kanë fituar titullin e Evropës në vitin 2016 dhe medalje të bronztë olimpike atë vit.

Në Prishtinë në tetor të vitit të kaluar, Gjermania kishte fituar me rezultat 30:14. Të dielen kombëtarja jonë shënoi më shumë gola e poashtu pranoi më pak.

Gjërat nuk funksionuan në pjesën e parë, as në mbrojtje e as në sulm. Portieri gjerman priti shumë gjuajtje të lojtarëve të Kosovës. Në të dytën, kombëtarja luajti shumë më mirë. Deniz Terziqi ishte i pandalshëm në sulm, ndërsa mbrojtja nisi të funksionoi. Haris Berisha ndali shumë gjuajtje të lojtarëve gjermanë. Kështu u përmirësua shumë përshtypja pas pjesës së parë.

Me ndeshjen ndaj Gjermanisë i erdhi fundi fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”.

Për Kosovën ky është një cikël historik dhe mund të vlerësohet edhe i suksesshëm.

Ka shënuar fitoren e parë në kualifikime, ndaj Izraelit (27:24), e po ashtu të mërkurën ka barazuar me Poloninë (23:23), në një ndeshje ku “Dardanët” kanë dominuar.

Ndeshja me Gjermaninë është luajtur në Nyrnberg në një atmosferë të jashtëzakonshme sportive, para 7187 shikuesve.  Përkrahje nga qindra tifozë kishin edhe djelmoshat tanë. Shumë flamuj të Kosovës dhe flamuj kombëtar janë shfaqur në palestër, shkruan Federata e Hendbollit të Kosovës.

Të dielën u luajt edhe ndeshja Polonia – Izraeli, ndërsa fitore shënoi Polonia me rezultat 26:23. Kështu Polonia u rendit e dyta dhe shkon në Evropian. Izraeli nuk ka mundur të kualifikohet nga pozita e tretë.

 Gjermania – Kosova 28:17 (16:5)

Kosova: Terziqi 8, Quni 3, Hoxha 2, Kabashi 2, Gashi 1, Jupa 1, Agushi, Berisha, Dedaj, Fetahu, Gjuka, Prekazi, Shabani, Dril. Tahirukaj, Dre. Tahirukaj.

(Kosova Sot Online)