Maradona e godet rëndë Messin me shokë: Bij bushtrash, na e njolloset prestigjin që e ndërtuam me mund

  • 17 June 2019 - 14:39
Maradona e godet rëndë Messin me shokë: Bij bushtrash, na e njolloset prestigjin që e ndërtuam me mund

Diego Maradona i ka kritikuar ashpër futbollistët e Argjentinës në krye me Lionel Messi, duke i akuzuar se po ia prishin prestigjin Kombëtares argjentinase pas humbjes në ndeshjen e tyre hapëse në Kupën e Amerikës.

Kolumbia e mundi 2:0 Argjentinën në ndeshjen hapëse të Grupit B të Kupës së Amerikës, të shtunën pasmesnatës.

Golat nga Roger Martinez dhe Duvan Zapata e tronditen Argjentinën e Lionel Messit duke ia zbehur shpresat për një triumf të mundshëm në këtë garë për herë të parë që prej vitit 1993.

Duke folur për TyC Sports një ditë pas ndeshjes, fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën në vitin 1986, Maradona ishte i ashpër dhe i papërmbajtshëm në kritikat e tij për ekipin aktual kombëtar.

“A e kuptoni se edhe Tonga mund të na mposhtë neve? Ekziston një prestigj të cilin luftuam fort për ta ndërtuar. E çfarë ka mbetur tani nga ai? Çfarë do të thotë fanella të cilën e ndieni ju bij bushtrash?”, tha Maradona i zemëruar.

Kolumbia është lidere e Grupit B me tri pikë, ndërsa Argjentina e fundit pa pikë. Paraguai dhe Katar kanë nga një pikë në pozitat dy dhe tretë.

Ndeshjen e radhës në grup, Argjentina e zhvillon ndaj Paraguait më 19 qershor. 

(Kosova Sot Online)