E zbulon Rizespori: Dy oferta zyrtare për Muriqin, kaq para ofrojnë për sulmuesin

  • 17 June 2019 - 16:23
E zbulon Rizespori: Dy oferta zyrtare për Muriqin, kaq para ofrojnë për sulmuesin

Vedat Muriqi është bërë objektiv i gjigantëve turkë pas paraqitjeve mbresëlënëse me Rizesporin në sezonin e fundit. Mirëpo, për momentin oferta dhe kërkesa dallojnë shumë

Vedat Muriqi e kaloi një sezon mbresëlënës me ekipin e tij, Rizespor.

Sulmuesi kosovar ishte i jashtëzakonshëm në kampionatin turk dhe ky fakt ka bërë që interesim për të të shfaqin dy gjigantët nga Stambolli, Fenerbahçe dhe Galatasaray.

Presidenti i Rizesporit, Hasan Kartal ka konfirmuar se në adresë të klubit turk kanë arritur dy oferta zyrtare.

“Përpos Fenerbahçes dhe Galatasarayt, nuk ka arritur ndonjë ofertë tjetër për Muriqin”, ka thënë kreu i klubit nga Superliga turke për TRT Sports. 

“Oferta e Galatasarayt është 3 milionë euro, ndërsa oferta e Fenerbahçes nuk ka ndryshuar ende: 2,3 milionë euro për ta dhënë një lojtar si Vedati nuk është e mundshme. Për momentin gjërat qëndrojnë kështu. Kur t’i skadojë kontrata, ai do të jetë i lirë të shkojë”, përfundoi Kartal.

Rizespori ndërkohë i kërkon 10 milionë euro për futbollistin e ekipit kombëtar të Kosovës.

Muriqin e duan edhe në Francë, ku e kërkon Toulouse, por edhe në Spanjë, ku e pëlqen Real Betisi.

(Kosova Sot Online)