Totti: Antonio Conte më tha OK, por Roma më tradhtoi

  • 17 June 2019 - 17:49
Totti: Antonio Conte më tha OK, por Roma më tradhtoi

Francesco Totti e ka konfirmuar largimin nga Roma pas plot 30 vjetëve në shërbim të klubit të fëmijërisë, duke u thirrur mbi mospajtime të skajshme me drejtuesit.

Ish-kapiteni i verdhekuqeve u largua sot edhe zyrtarisht nga roli i drejtorit sportiv të Romës, duke e akuzuar dhe kritikuar pronarin miliarder amerikan James Pallota se nuk ia ka idenë se çfarë po bën me klubin.

Totti asnjëherë nuk e kishte shprehur zemërimin e tij që klubi nuk i kishte ofruar kontratë të re dhe e kishte shtyrë drejt pensionimi në vitin 2017, por e nisi një përvojë të re duke e marrë rolin e drejtorit sportiv përkrah Monchit.

Totti e konfirmoi se dëshira e tij ishte të luajë edhe një sezon, por e detyruan të pensionohet.

Ish-kapiteni legjendar i Romës gjatë konferencës “lumë” ku ka njoftuar largimin nga Roma si drejtues, pak nga pak i tregoi të gjitha.

Ndonëse drejtor teknik, Totti ka zbuluar se presidenti Pallotta dhe këshilltari i tij Baldini e kishin mënjanuar me kohë.

“Në dy vitet e fundit nuk më ka marrë asnjëri prej tyre në telefon, asnjë bisedë me ta. Isha një barrë për Romën, sipas tyre, më thjesht se kaq nuk di ç’të them. Ka kohë që gjërat i marr vesh nga gazetat, merkaton, trajnerin, drejtuesit”, tha Totti.

Totti ka folur edhe për trajnerin e ri, që para disa javësh mund të ishte Antonio Conte.

“I vetmi trajner që kam marrë personalisht në telefon ishte Antonio Conte. Gjithë emrat e tjerë që kam lexuar këto ditë, nga Gattuso te Gasperini, nga De Zerbi te Mihajlovic, janë fantazi e pastër. Conte më dha OK, për mua ishte i vetmi i aftë të ringrinte Romën dhe ta kthente te fitoret, por Roma më tradhtoi”, shtoi ai.

Totti iu bashkua akademisë së Romës në vitin 1989, dhe bëri debutimin me ekipin e parë më 1993 si 16-vjeçar. Ai e mbylli ka karrierën me Romën duke shënuar 307 gola në 785 ndeshje, ka fituar Serinë A më 2001 dhe dy herë Kupën e Italisë. Ai gjithashtu e ka fituar edhe Kupën e Botës me Italinë.

(Kosova Sot Online)