Reagon Roma pas akuzave të Tottit: “Refuzoi ofertën, perceptimi i tij është fantazi!”

  • 17 qershor 2019 - 20:34
Reagon Roma pas akuzave të Tottit: “Refuzoi ofertën, perceptimi i tij është fantazi!”

Pas konferencës për mediat në lamtumirën e Tottit, në mbrëmjen e të hënës mbërrin edhe përgjigja nga ana e klubit të Romës.

Klubi i udhëhequr nga Pallotta nuk janë aspak të kënaqur me ato që tha legjenda e Romës.

Francesco Totti e ka konfirmuar largimin nga Roma pas plot 30 vjetëve në shërbim të klubit të fëmijërisë, duke u thirrur mbi mospajtime të skajshme me drejtuesit.

Ish-kapiteni i verdhekuqeve u largua sot edhe zyrtarisht nga roli i drejtorit sportiv të Romës, duke e akuzuar dhe kritikuar pronarin miliarder amerikan James Pallota se nuk ia ka idenë se çfarë po bën me klubin.

Reagimi i klubit:

“Jemi ekstremisht të hidhëruar nga fakti që Totti ka njoftuar vendimin e tij për tu larguar nga verdhekuqtë, duke refuzuar kështu rolin e drejtorit teknik të AS Roma. Pas largimit të Monchit i kishim propozuar këtë rol dhe ishim ende në pritje të një përgjigje”.

“Rolin që i ofruam Francescos e konsiderojmë si një prej më të lartëve në hierarkinë e klubit. Një pozicion që natyrisht kërkon dedikim dhe angazhim total, sikurse pritet nga të gjithë drejtuesit brenda klubit. Ishim të gatshëm të tregoheshim të duruar me Francescon dhe ta ndihmonim që të vinte në praktikë këtë transformim nga futbollist i madh në drejtues i madh”. 

“Roli i drejtorit teknik është motivimi në të cilin besonim se mund të rritej dhe në të cilin u ofruam ta mbështesnim në fazën e përshtatjes. Ndonëse e mirëkuptojmë se sa e vështirë mund të jetë për atë të vendosë të largohet nga Roma pas 30 vitesh, nuk mundet veçse ta konsiderojmë fantaziste dhe larg realitetit perceptimin e tij mbi faktet dhe zgjedhjet e aplikuara nga klubi”, vijon deklarata e klubit verdhekuq.

Në përfundim flitet edhe për të ardhmen e mundshme të klubit: “Referuar aludimeve të përsëritura në lidhje me rikthimin e tij në klub nën një tjetër regjim drejtuesish e në pronësi tjetër, gjoja sipas informacioneve të grumbulluara nga ai vetë në të gjithë botën mbi subjekte të interesuara për blerjen e klubit, urojmë që të mos jetë një paralajmërim i një tentative blerje”. 

“Skenar që mund të jetë shumë delikat, duke konsideruar faktin që AS Roma është e kuotuar në bursë. Drejtuesit e klubit nuk kanë asnjë qëllim që të nxjerrin Romën në shitje, as tani dhe as në të ardhmen. I urojmë Francescos fat në atë që do të vendosë të bëjë”.

(Kosova Sot Online)