Katër persona të lënduar nga gjuajtjet me armë në paradën e Toronto Raptors

  • 18 June 2019 - 09:50
Katër persona të lënduar nga gjuajtjet me armë në paradën e Toronto Raptors

Katër persona mbetën të lënduar si pasojë e gjuajtjeve me armë gjatë paradës festive në Toronto Raptors, për titullin e kampionit të NBA. Lajmin e ka konfirmuar policia kanadeze.

Mijëra tifozë të basketbollit ishin grumbulluar në qendrën e qytetit në sheshin “Nathan Phillips” kur u dëgjuan gjuajtjet me armë, duke bërë që të gjithë të vraponin për të kërkuar strehë.

Festa u ndërpre vetëm për një kohë të shkurtë, pasi që zyrtarët policorë e qetësuan turmën e njerëzve.

Tre persona janë arrestuar, ndërsa autoritetet përgjegjëse i kanë kërkuar publikut të dërgojnë sa më shumë pamje për ta ndihmuar procesin hetimor.

Policia shkroi në Twitter se asnjëra ndër viktimat nuk kishte pësuar lëndime që e rrezikonin jetën e personave, edhe pse dy persona morën plagë më serioze.

Në mesin e personave që ishin grumbulluar për ta përcjellë nga afër paradën e skuadrës së Toronto Raptors ishte e kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i cili u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.

Deri në dy milionë njerëz besohet se ishin mbledhur në sheshin e Torontos të hënën për paradën e organizuar në nder të klubit të basketbollit, që të enjten e kaluar u bë klubi i parë kanadez që e fiton titullin e kampionit të NBA.

“Shpresoj se të gjithë të lënduar në sulmin e sotshëm e kanë një shërim të shpejtë dhe do të më pëlqente që Policia e Torontos të veprojë sa më shpejt. Nuk do ta lejojmë këtë veprim të dhunshëm ta lë në hije shpirtin e paradës së sotshëm”, shkroi Trudeau në Twitter.

(Kosova Sot Online)