Zënkë e ashpër mes Savicevicit dhe drejtorit të Crvena Zvezdas për shkak të Kosovës

  • 18 June 2019 - 12:30
Zënkë e ashpër mes Savicevicit dhe drejtorit të Crvena Zvezdas për shkak të Kosovës

Pas përballjes së Malit të Zi dhe Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, një zënkë e ashpër ka filluar mes drejtorit të përgjithshëm të Crvena Zvezdas, Zvezdan Terzic, dhe presidentit të Federatës së Futbollit të Malit të Zi, Dejan Savicevic.

Dejan Savicevic e ka akuzuar Crvena Zvezdan se i kishte bërë presion dy futbollistëve të Malit të Zi të lindur në Serbi, Mirko Ivanicit dhe Filip Stojkovicit, të mos luajnë në ndeshjen kundër Kosovës.

Këta dy futbollistë, që luajnë për Crvena Zvezdan, dhe trajneri i Malit të Zi, Ljubisa Tumabkovic, nuk pranuan të marrin pjesë në ndeshjen kundër Kosovës, për shkak të prejardhjes së tyre nga Serbia, prej ku po i bëhej presion që të mos luanin.

Ivanici dhe Stojkovici ishin dy futbollistë serbë të Malit të Zi që s’pranuan të luajnë kundër Kosovës, përderisa tre të tjerë morën pjesë në këtë ndeshje. I pari i Federatës malaziase, Savicevic, beson se ishte drejtori i Crvena Zvezdas, Terzic, u kishte bërë presion dy lojtarëve të tij për ta marrë këtë vendim.

Mirëpo, Terzici e ka mohuar këtë pretendim, duke thënë se Ivanici dhe Stojkovic e morën vetë këtë vendim, pasi që nuk donin të qëndronin para flamurit dhe himnit të Kosovës.

“Unë thashë para disa ditëve dhe politika dhe sporti nuk duhet të përzihet dhe vendimi i dy lojtarëve të Crvena Zvezdas për të mos luajtur kundër Kosovës është vendimi i tyre personal”, ka thënë Terzic.

“Lojtarët e Crvena Zvezdas nuk refuzuan të luajnë për Malin e Zi, që është krenaria dhe kënaqësia e tyre, por refuzuan kundër të së ashtuquajturës Kosovës, pasi që nuk donin të qëndronin para himnit dhe flamurit të shtetit jo-ekzistues të Kosovës”.

 “Savicevic e mësoi menjëherë në short se do të luante kundër Kosovës dhe e dinte se e kishte trajnerin dhe pesë lojtarë nga Serbia. Atëherë, si president i përgjegjshëm dhe i mençur, ai duhet t’i pyesë ata: “A keni problem, si qytetas të Serbisë, me Kosovën?”.

“Pse nuk e bëri këtë gjë mbetet problem për të. Nuk e kuptoj çmendurinë e Savicevicit dhe faktin që ai e përmend emrin tim, të tifozëve të Crvena Zvezdas, shërbimeve dhe autoriteteve të ndryshme në Serbi sepse gjithçka që ai thotë është gënjeshtër”. 

(Kosova Sot Online)