Manchester City e huazon Arijanet Muricin te një klub tjetër anglez

  • 18 June 2019 - 17:32
Manchester City e huazon Arijanet Muricin te një klub tjetër anglez

Manchester City është shumë afër ta huazojë portierin e vet dhe të Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muricin, në Nottingham Forest, në mënyrë që ai të fitojë më shumë përvojë në ekipin e parë, shkruajnë mediat angleze.

Kampioni i Anglisë pritet ta transferojë një portier të tretë, Asier Riesgon e Eibarit, gjë që do t’i hapte rrugë huazimit të gardianit të portës së Kosovës në Nottingham Forest, klubin që bën gara në Championship – nivelin e dytë të futbollit anglez.

Shqiptari 20-vjeçar nga Mali i Zi ishte zgjedhja e dytë e Pep Guardiolës pas numrit një Ederson dhe lëndimit të Claudio Barvos sezonin e kaluar, por luajti shumë pak nën urdhrat e trajnerit spanjoll.

Murici i bëri vetëm shtatë paraqitje në të gjitha garat për Manchester City, por la gjurmë në League Cup me pesë paraqitjet e tij si titullar, duke qenë ndër më meritorët pse City e fitoi këtë trofe.

Tani, mediat në Angli raportojnë se City do ta huazojë atë në Forest, në mënyrë që ai të fitojë përvojë në ekipin e parë.

Murici debutoi në ekipin kombëtar të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe që prej atëherë i ka bërë pesë paraqitje për verdhekaltrit, duke ia zënë vendin e titullarit ish-kapitenit Samir Ujkanit. 

(Kosova Sot Online)