A mund ta përballojë financiarisht Real Madridi Pogban?

  • 19 June 2019 - 09:30
A mund ta përballojë financiarisht Real Madridi Pogban?

Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, e ka bërë të qartë se ai mund të largohet nga “Old Trafford” gjatë afatit kalimtar të verës, duke thënë se kjo verë mund të jetë momenti i duhur për ta përjetuar një sfidë të re.

Fituesi i Kupës së Botës me Francën ka qenë i lidhur me një transferim drejt gjigantit spanjoll, Real Madridit, dhe ish-klubit të tij, Juventusit.

Por, a mundet Real Madridi, që ka shpenzuar shumë para që nga fundi i sezonit, ta përballojë financiarisht 26-vjeçarin dhe të qëndrojë brenda rregullave të Ndershmërisë Financiare (Financial Fair Play)?

1. Kë e ka blerë Real Madridi deri më tani?

Me përjashtim të transferimit të Thibaut Courtois nga Chelsea verën e kaluar, Real Madridi kishte qëndruar larg emrave të mëdhenj që nga viti 2014, kur Toni Kroos dhe James Rodriguez erdhën në “Santiago Bernabeu”.

Por, që nga fundi i verës së kaluar, ata i kanë shpenzuar rreth 300 milionë funte. Rekordin paraprak për më së shumti shpenzime gjatë një afati kalimtar ishte në verën e vitin 2009, kur për 227 milionë funte e blenë Cristiano Ronaldon, Kakan, Karim Benzeman dhe Xabi Alonson.

Shpenzimi më i madh ishte për transferimin e sulmuesit belg Eden Hazardit, i cili iu bashkua nga Chelsea për një shumë që mund të arrijë deri në 150 milionë funte.

Sulmuesi serb Luka Jovic u transferua nga Eintracht Frankfurti për 53 milionë funte dhe ata e blenë edhe mbrojtësin anësor, Ferland Mendyn, nga Lyoni për 47.1 milionë funte.

Mbrojtësi i Portos, Eder Militao, u transferua për 42.7 milionë euro në mars dhe sulmuesi brazilian Rodrygo, 18-vjeçar, u transferua nga Santosi për 40 milionë funte në qershor të vitit 2018.

2. A mund ta përballojnë ata Pogban?

Një analizë e shifrave financiare të Real Madridit sugjeron se ata kanë kapacitet të shpenzojnë edhe më shumë.

Në raportin e fundit financiar, Real Madridi i përfitoi 751 milionë euro dhe përkundër që u eliminuan më herët sesa vitin e kaluar në Ligën e Kampionëve, ata priten t’i kompensojnë ato para me ndeshjet miqësore dhe reklamat.

Real Madridi gjithashtu do të përfitojë nga algoritmi i UEFA-s për llogaritjen e parave që shkojnë drejt klubeve, ku klubet më të suksesshme në dekadën e fundit përfitojnë më së shumti para.

Përderisa Real Madridi ka shpenzuar mjaft shumë para këtë verë, klubi i ka gjithashtu 100 milionë eurot e fituara nga shitja e Ronaldos në Juventus verën e kaluar, të cilët i kanë mbetur ende në buxhet.

Për këtë arsye, klubi duket se ka ende vend për të bërë edhe shpenzime të tjera këtë verë.

3. Si do t’i baraspeshojnë shpenzimet në raportin financiar?

Shitja e lojtarëve duket si opsioni më i mirë, pasi që skuadra e tyre është shumë e madhe pas rekrutimeve të kësaj vere. Mirëpo, përfitimet e Real Madridit gjatë viteve të fundit bëjnë që madrilenët të mos kenë nevojë të jenë në panik për raportin e tyre financiar.

Real Madridi i kishte 190 milionë euro në bankë në qershor të vitit 2018.

Paratë e shpenzuara deri më tani këtë verë mund të duken të tepërta, mirëpo transferimet moderne nuk paguhen plotësisht në të njëjtën kohë, mirëpo në afate të caktuara kohore pjesë-pjesë.

Nëse klubet e tjera nuk kanë mundësi t’i blejnë  lojtarët që Real Madridi dëshiron t’i shesë, atëherë “Los Blancos” mund t’i largojnë ata në formë huazimi, që të mos e kenë barrë pagën e tyre.

4. Çfarë për FFP-në?

Rregullat e FFP-së janë të dizajnuara në atë mënyrë që të sigurojë se shumat që klubet i shpenzojnë për transferimit dhe pagat e lojtarëve të jenë baras me shumën që klubi e fiton brenda vitit.

Pasi që Real Madridi është klubi me përfitimet më të mëdha vjetore, ata janë shumë më poshtë vijës së kuqe të UEFA-s. Në sezonin 2017/18 Real Madridi i shpenzonte 57 milionë në paga për çdo 100 milionë euro të fituar, shumë kjo nën 70 përqindëshin e lejuar nga FFP-ja.

Edhe nëse Real Madridi nuk i rrit përfitimet në sezonin e ardhshëm, ata mund t’i rrisin shpenzimet për pagë për 98 milionë euro dhe të jetë nën nivelin e rrezikut. Rregullat e FFP-së bën që klubet të kenë mundësi t’i humbin vetëm 30 milionë euro brenda periudhës trevjeçare.

(Kosova Sot Online)