Rekordi i Messit me Argjentinën që e lë pas Ronaldon

  • 19 June 2019 - 10:55
Rekordi i Messit me Argjentinën që e lë pas Ronaldon

Lionel Messi ka rekord më të mirë sesa Cristiano Ronaldo për gola të shënuar kundër top 50 kombëtareve më të mira në botë, sipas ranglistës së FIFA-s.

Debati se a është Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo lojtari më i mirë në botë ka qenë i pranishëm gjatë dekadës së fundit, pasi që asnjë futbollist tjetër nuk i ka arritur sukseset e këtyre të dyve gjatë kësaj periudhe.

Messi i ka dominuar garat vendore me Barcelonën, duke i fituar dhjetë tituj të La Ligës që kur e bëri debutimin e tij për katalonasit, si dhe gjashtë tituj të Kupës së Mbretit.

Ronaldo e ka fituar statusin e tij prej më të mirit në botë te disa tifozë për shkak të dominimit të tij në Ligën e Kampionëve. Ai e ka fituar trofeun e kësaj gare pesë herë, por i ka vetëm dy La Liga, të cilave u bashkohen edhe tre titujt e Premierligës dhe, së fundi, titulli i Serisë A.

Që të dy i kanë fituar nga pesë Topa të Artë, mirëpo dallimi më i madh i tyre është në skenën ndërkombëtare.

Ronaldo ka pasur mjaft shumë suksese me Portugalinë, duke i fituar titujt e EURO 2016 dhe Ligës së Kombeve, ndërsa Messi nuk e ka fituar asnjë turne të madh me Kombëtaren e Argjentinës.

Kapiteni i Portugalisë gjithashtu ka shënuar më shumë gola në nivelin e kombëtareve (88) sesa rivali i tij me Argjentinën (67).

Tifozët e Ronaldos sugjerojnë se ai është lojtari më i mirë në botë për shkak të superioritetit të tij në skenën ndërkombëtare. Por, një krahasim i tillë nuk duket se është i drejtë pasi që sipas ranglistës së FIFA-s, Messi është përballur me skuadra më të forta.

56 nga 67 golat e shënuara të Messit me Argjentinën (84 për qind) kanë qenë kundër skuadrave të ranguara në top 50 të FIFA-s, ndërsa vetëm 35 nga 88 golat e Ronaldos (35 për qind) janë shënuar kundër skuadrave të top 50-shes.

(Kosova Sot Online)