Drejtori i Man Unitedit i shpërfill propozimet e Fergusonit

  • 19 June 2019 - 11:04
Drejtori i Man Unitedit i shpërfill propozimet e Fergusonit

Ish-trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Sir Alex Fergusoni, ia rekomandoi klubit Steve Walshin nga Evertoni për pozitën e drejtorit të futbollit. Ky rekomandim u hodh poshtë nga drejtori ekzekutiv i klubit, Ed Woodward.

Kur Jose Mourinho u shkarkua nga pozita e trajneri në dhjetor të vitit të kaluar, tifozët dhe analistët e theksuan se trajneri nuk ishte i vetmi problem në Manchester United dhe mendohej se sapo të përfundonte sezoni, klubi do ta emëronte dikë në pozitën e drejtorit të futbollit për t’i zgjidhur disa probleme.

Megjithatë, për këtë pozitë nuk është folur më shumë pas sezonit 2018/19. Klubi e emëroi në pozitën e trajnerit Ole Gunnar Solskjaerin, ndërsa mbi të nuk e vendosi askënd.

Afati kalimtar tanimë veçse është hapur në Angli dhe “Djajtë e kuq” ende nuk e kanë asnjë drejtor të futbollit. Sky Sports raportoi dje se Sir Alex Fergusoni e ka rekomanduar Steve Walshin për këtë pozitë, mirëpo kjo ide u hodh poshtë nga Ed Woodward.

Pjesë e problemit të klubit besohet se është edhe transferimi i futbollistëve me emra të mëdhenj në vend të lojtarëve për të cilët klubi ka me të vërtetë nevojë.

Woodward e kundërshtoi propozimin e Fergusonit pasi që ai dëshiron që një person që ka lidhje me klubin të emërohet në këtë pozitë. Ish-qendërmbrojtësi legjendar, Rio Ferdinand, ishte përfolur për këtë pozitë, por ende asgjë nuk është konfirmuar nga klubi.

(Kosova  Sot Online)