Mbappe sugjeron se mund ta vazhdojë karrierën në SHBA

  • 19 June 2019 - 14:51
Mbappe sugjeron se mund ta vazhdojë karrierën në SHBA

Kylian Mbappe ka lënë të kuptohet se ai mund të transferohet te ndonjë klub i Major League Soccer, nivelit të parë të futbollit në SHBA, në të ardhmen, pasi që aty kanë vendosur të luajnë plotë legjenda të këtij sporti.

Sulmuesi francez ka qenë i lidhur me një transferim nga Paris Saint-Germaini gjatë afatit kalimtar të kësaj vere. Përderisa SHBA-ja mbetet destinacion i mundur, Mbappe ka thënë se ka kohë deri sa t’i vijë momenti MLS-it.

Që nga përfundimi i sezonit 2018/19, spekulimet për të ardhmen e Mbappes nuk kanë të ndalur, pasi që klubet e mëdha të Evropës kanë shprehur interesim për francezin, veçanërisht Real Madridi.

20-vjeçari e la në dyshim të ardhmen e tij në Paris para disa javëve, kur deklaroi se pas sezonit 2018/19 ai mund të jetë i gatshëm ta nisë ndonjë projekt të ri me ndonjë ligë të re. Mirëpo, PSG-ja ka reaguar zyrtarisht disa herë që nga atëherë, duke thënë se Mbappe nuk do të shitet.

Përderisa francezi mund të qëndrojë në PSG edhe për sezonin tjetër, fituesi i Kupës së Botës ka sugjeruar se ai mund t’i ndjekë hapat e gjigantëve evropiane dhe të transferohet në Major League Soccer në të ardhmen.

“Nuk mund ta dimë çfarë ndodh në futboll. Tani, shumë futbollistë të mrekullueshme shkojnë në SHBA pasi ta mbyllin karrierën në Evropë, si Zlatan Ibrahimovic, Steven Gerrard, Frank Lampard, Andrea Pirlo”, ka thënë Mbappe.

“Nuk mund ta dish se çfarë do të ndodhë, ndoshta kur të jem pak më i vjetër, mund të mendoj për këtë gjë”.

(Kosova Sot Online)