Tri opsionet e Barcelonës për ta transferuar Neymarin

  • 20 June 2019 - 08:40
Tri opsionet e Barcelonës për ta transferuar Neymarin

Deklarata e fundit e presidentit të Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifit, ia ka lënë Neymarit derën e hapur për t’u larguar nga Parc des Princes këtë verë, duke e krijuar kështu një skenar plotësisht të ri për Barcelonën.

Neymari e di se ai do të mirëpritej sërish te klubi katalonas, pasi që ai e ka mbajtur shoqërinë me lojtarët e Barcelonës që nga koha kur luante në Camp Nou.

Të gjithë do të donin ta shihnin brazilianin të kthehet në Camp Nou dhe presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e di këtë gjë.

Kur krahasohet Neymari me Antoine Griezmannin, braziliani bie më shumë në sy për shkak se është më i rrezikshëm para portës kundërshtare.

Por, cilido klub në botë do ta kishte problem transferimin e Neymarit për shkak të kërkesave financiare të PSG-së. Për më tepër, klubet duhet të jenë të kujdesshëm që të mos e kalojnë limitin e parave që mund t’i shpenzojnë, përndryshe përballen me dënime nga UEFA.

Bordi drejtues i Barcelonës e ka bërë të qartë se katalonasit nuk do ta transferojnë Neymarin.

Bartomeu ia ka thënë pikërisht këtë gjë agjentit të Ousmane Dembele, duke e siguruar se francezi nuk do të shitet dhe se blaugranët do të mbështeten te ai për sezonin e ardhshëm.

Sipas Le Parisien, PSG-ja e vlerëson Neymarin rreth 300 milionë euro dhe e vetmja mënyrë se si Barcelona mund ta përballojë këtë transferim është nëse e ul çmimin duke i përfshirë edhe disa lojtarë të vet në këtë marrëveshje.

Transferimi i dështuar i Matthijs de Ligt mund të rezultojë të ketë qenë pozitiv pas të gjithave, për shkak se tani Barcelona i ka 70 milionë euro të ruajtura për transferimin e Neymarit.

Me edhe më shumë para në dispozicion, Bartomeu është duke i menduar tri opsione për ta kompletuar “Operacionin Neymar”.

Opsionet e Barcelonës

Opsioni i parë është që Barcelona t’ia ofrojë PSG-së 100 milionë euro dhe dy futbollistë (Philippe Coutinho, Dembele, Ivan Rakitic ose Samuel Umtiti) në shkëmbim për Neymarin.

Nëse transferimi i De Ligtit dështon përfundimisht, Barcelona mund t’i ofrojnë 150 milionë euro dhe vetëm njërin futbollist (Coutinhon ose Dembelen) për Neymarin. Mirëpo, trajneri Ernesto Valverde nuk dëshiron të humbë lojtarë të talentuar në sulm, kështu që Dembele e ka vendin më të sigurt.

Opsioni i fundit është që Malcomi të përfshihet në marrëveshjen për kthimin e Neymarit në Camp Nou, mirëpo vlera e tij nuk është shumë e lartë dhe kjo bën që Barcelona të detyrohet të shpenzojë një shumë jashtëzakonisht të madhe.

(Kosova Sot Onlinne )