Zbulohen detajet e rimeçit Joshua-Ruiz

  • 20 June 2019 - 09:22
Zbulohen detajet e rimeçit Joshua-Ruiz

Anthony Joshua do të zyrtarizojë rimeçin me Andy Ruiz Jr javën e ardhshme, mirëpo promoteri Eddie Hearn ka bërë të ditur qysh tani se ky rimeç do të zhvillohet ose në Nju Jork sërish, ose diku në Angli, mes 16 nëntorit dhe 14 dhjetorit.

Sundimi i Anthony Joshuas në kategorinë e peshave të rënda të boksit dhe rekordi i tij si i pamposhtur u shkatërruan në mënyrë tronditëse nga Andy Ruiz Jr në Nju Jork më 1 qershor.

Meksikani e fitoi atë ndeshje, mirëpo promoteri i Joshuas, Eddie Hearn, e aktivizoi menjëherë klauzolën në kontratën mes tyre për ta zhvilluar edhe një rimeç, në fund të këtij viti.

Skuadra e boksierit britanik është duke i shqyrtuar disa stadiume të ndryshme në Britani të Madhe, përfshirë këtu stadiumin Wembley, për një meç në nëntor ose në dhjetor. Mirëpo, Hearn ka konfirmuar se Joshua mundet edhe të kthehet në vendin ku e pësoi disfatën e tij të parë në karrierë, në Madison Square Garden të Nju Jorkut.

“Puna për javën e ardhshme është vetëm t’i finalizojmë detajet se ku dhe kur do të zhvillohet rimeçi”, ka thënë Hearn për Sky Sports.

“Nuk mund të ju them gjithçka sepse as unë nuk i di të gjitha. Meçi do të jetë mes 16 nëntorit dhe 14 dhjetorit. Kemi pasur nga pesë vende të ndryshme për ta zhvilluar aty meçin, mirëpo vendimi ynë do të jetë mes Britanisë së Madhe dhe SHBA-së”.

“Në Britani, po flasim me Cardiffin, Wembleyn, Tottenhamin dhe në SHBA i kemi pasur disa oferta, por e preferojmë Madison Square Garden. Një person i arsyeshëm do të këshillonte ta zhvillojmë meçin në Britani të Madhe”.

“Anthony beson se do të ishte e veçantë ta rishkruajë historinë dhe të fitojë në Madison Square Garden. Nuk ka të bëjë edhe aq shumë me paratë, vetëm duhet të vendosim ku do të zhvillohet meçi dhe këto vendime do të merren javën tjetër”. 

(Kosova Sot Online)