Pogba zhgënjen Real Madridin, e preferon transferimin në Juventus

  • 20 June 2019 - 10:07
Pogba zhgënjen Real Madridin, e preferon transferimin në Juventus

Ylli i mesfushës së Manchester Unitedit pritet të largohet nga “Old Trafford” këtë verë dhe ai preferon të transferohet në Juventus para Real Madridit, sipas mediumeve italiane.

Paul Pogba më herët kishte thënë: “Real Madridi është ëndërr për këdo”. Francezi i Manchester Unitedit është spekuluar shumë për një transferim në kryeqytetin spanjoll, ky trajneri Zinedine Zidane ka thënë se do ta priste me krahët e hapur.

Por 26-vjeçari do ta preferonte transferimin në Juventus, para kalimit në “Santiago Bernabeu”. Të paktën kështu pretendon Sky Sports Italia.

Juventusi, që ia shiti Pogban Manchester Unitedit për 105 milionë euro në vitin 2016, dëshiron ta kthejë francezin në Torino, ku trajneri i ri Maurizio Sarri dëshiron ta bëjë atë yllin e skuadrës së “Zonjës së Vjetër”.

“Gazzetta dello Sport” raporton se kampioni i Serisë A është i gatshëm ta fusë në marrëveshje për transferimin e Pogbas edhe anësorin brazilian, Douglas Costan. “Djajtë e kuq” e vlerësojnë Pogban mbi 150 milionë funte.

Mesfushori francez ka kontratë në Old Trafford deri në vitin 2021 dhe Manchester Unitedi dëshiron ta mbajë atë në skuadër. Mirëpo, pas tri sezoneve me ta, Pogba tha në një intervistë se ky momenti i duhur për ta përjetuar një sfidë të re.

Se a do të jetë kjo sfidë e re në Torino apo në Madrid mbetet ende e paqartë. Megjithatë, Juventusi besohet se është favoriti për t’i siguruar shërbimet e francezit për sezonin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)