Tifozët e Man Unitedit e kërkojnë largimin e pronarëve të klubit

  • 20 June 2019 - 13:11
Tifozët e Man Unitedit e kërkojnë largimin e pronarëve të klubit

Dhjetëra mijëra tifozë të Manchester Unitedit e kanë kërkuar largimin e pronarëve të klubit, familjes Glazer. Kërkesa e tyre u bë përmes rrjetit social Twitter dhe hashtag-u “#GlazersOut” u bë trendi i parë në botë, me 84 mijë tweeta.

Kanë kaluar 14 vjet që nga dita kur familja amerikane Glazer e bleu Manchester Unitedin për 790 milionë funte. Por, për shumë tifozë të “Djajve të kuq” 16 maji i vitit 2005 shënohet si dita më e keqe në historinë e klubit të tyre.

Përkundër që tifozët kishin organizuar shumë protesta gjatë asaj kohë, tentimet e tyre kishin qenë të pasuksesshme dhe biznesmeni amerikan Malcolm Glazer i bleu 75 për qind të aksioneve të klubit.

Frika se Manchester Unitedi do të zhytej në kredi dhe do të drejtohej nga një familje me pak njohuri për futbollin është kthyer në realitet.

“Djajtë e kuq” shijuan suksese edhe pas vitit 2005 – duke i fituar pesë tituj të Premierligës dhe një titull të Ligës së Kampionëve gjatë asaj kohë – mirëpo tifozët theksojnë se kjo gjë kishte ndodhur për shkak të brilancës së Sir Alex Fergusonit.

Që kur ish-trajneri legjendar u pensionua, në vitin 2013, Manchester Unitedi ka rënë më poshtë sesa që tifozët e kishim paramenduar.

Ata nuk janë më në mesin e skuadrave më të mira në Evropë. Manchester Unitedi do të garojë në Ligën e Evropës e jo në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, pasi që sezonin 2018/19 të Premierligës e mbyllën në pozitën e gjashtë të tabelës.

Pas një tjetër sezoni zhgënjyes, tifozët e klubit anglez kishin pritur një lloj revolucioni në skuadër sapo të hapet afati kalimtar i verës.

Megjithatë, përderisa Real Madridi ka transferuar lojtarë të klasit botëror si Eden Hazard e Luka Jovic, “Djajtë e kuq” kanë arritur ta transferojnë vetëm Daniel Jamesin nga Swansea City për 15 milionë funte.

Të irrituar nga situata në klubin e tyre të preferuar, tifozët e Manchester Unitedit i kanë filluar protestat sërish. Ata e kanë nisur fushatën #GlazersOut në rrjetet sociale dhe tani kjo fushatë po shpërndahet në të gjithë botën.

Manchester Unitedi është klubi i dytë që përfiton më së shumti para në botë, ndërsa deri vitin e kaluar ishte në pozitën e parë. Tifozët e klubit janë të zemëruar që këto para nuk janë investuar për përforcimin e skuadrës.

Por, ku kanë shkuar paratë e fituara të klubit?

Që prej vitit 2011, drejtuesit e Manchester Unitedit i kanë dhënë vetes pagë prej 75 milionë funtesh në vit. Në këtë shumë përfshihet edhe paga e drejtorit ekzekutiv, Ed Woodward, mirëpo familja Glazer e ka marrë për vete një pjesë të kësaj shume.

Përderisa pronarët e Manchester Cityt dhe Liverpoolit nuk marrin pjesë nga fitimi i klubit, që nga viti 2013 është bërë e ditur se pronarët e Manchester Unitedit i marrin për vete edhe nga 78 milionë funte të tjera, përveç parave të pagës, çdo vit.

Për më tepër, familja Glazer e bëri Manchester Unitedit pjesë të tregut të aksioneve në Nju Jork në vitin 2012. Që nga atëherë, Glazer-at kanë investuar në shumë kompani me paratë e klubit, duke hyrë në kredi për 452 milionë funte. Asnjë cent nga këto para nuk është investuar në klub.

Gjithashtu, familja Glazer i ka marrë për shpenzime financiare plot 786 milionë funte nga klubi gjatë 13 vjetëve të fundit, duke e rritur edhe më shumë borxhin.

Borxhi i krijuar i shkakton probleme Manchester Unitedi pasi që UEFA nuk lejon investime të mëdha në skuadër pa e paguar borxhin, gjë të cilën pronarët e Manchester Unitedit nuk e kanë bërë që nga viti 2011.

Image

 

(Kosova Sot Online)