Policia merr videot ndaj hoteli ku qëndroi Neymari dhe gruaja që e akuzon atë për përdhunim

  • 20 June 2019 - 14:57
Policia merr videot ndaj hoteli ku qëndroi Neymari dhe gruaja që e akuzon atë për përdhunim

Policia franceze ka konfirmuar se i ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë në hotelin ku kishte qëndruar Neymari dhe Najila Trindade, vajza që e akuzon futbollistin se e përdhunoi në atë hotel.

Ende nuk është konfirmuar nëse pamjet nga kamerat e sigurisë së hotelit ofrojnë dëshmi vendimtare për t’i mbështetur pretendimet e modeles Najila Trindade.

Rasti është duke u trajtuar nga autoritetet braziliane, por fakti se edhe policia franceze e ka marrë në dorë një pjesë të kësaj çështjeje sugjeron se dy shtetet janë duke bashkëpunuar për ta zbuluar të vërtetën.

Pasi u akuzua për përdhunim, Neymari i bëri publike fotografitë dhe bisedat private me gruan që e akuzon për përdhunim në një video të postuar në llogarinë e vet zyrtare në Instagram, përmes së cilës u përpoq të dëshmojë se marrëdhënia e tyre kishte qenë konsensuale.

Me publikimin e fotografive dhe videove private të gruas në fjalë, Neymari i hapi vetes edhe më shumë telashe. Policia i ka nisur hetimet ndaj Neymarit për publikimin dhe shpërndarjen e fotografive private.

Sipas burimeve të mediat braziliane “UOL Esporte”, në dosjen e denoncimit të dorëzuar në polici ekzistojnë edhe imazhe, që mund të jenë foto ose video, që tregojnë agresivitetin e Neymar teksa kanë hyrë në dhomën e hotelit.

Pas këtij momenti, gruaja pretendon se ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, por e frikësuar dhe e traumatizuar nga sjellja agresive e sulmuesit të PSG-së. Fotot në fjalë nuk janë bërë publike për shkak të hetimit që është në proces.

Madje, në raportin mjeko-ligjor, që është kryer në një klinikë në Sao Paolo të Brazilit thuhet se gruaja ka pasur hematoma dhe të nxira në pjesën e të pasmeve dhe në këmbë.  Ndër të tjera raporti sqaron se ajo ka probleme me gastritin, ka humbur peshë dhe ka simptoma post-traumatike.

Neymari i ka mohuar të gjitha këto akuza, por ka qenë babai i futbollistit ai që ka kërkuar që të publikohen të gjitha videot e plota. Këtë kërkesë ai i ka bërë policisë pasi që është i sigurt se Neymari s’ka bërë asgjë, por pretendon se Najila po e bën këtë akuzë për të marrë para.

(Kosova Sot Online)