Drejtori sportiv i Juventusit: E duam Pogban

  • 20 June 2019 - 15:37
Drejtori sportiv i Juventusit: E duam Pogban

Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, ka thënë se klubi bardhezi e “dashuron” Paul Pogban, duke i nxitur edhe më shumë spekulimet që e lidhin mesfushorin e Manchester Unitedit me një kthim në Torino.

26-vjeçari dëshiron të largohet nga Old Traffordi dhe të dielën tha se tani është momenti i duhur për ta provuar ndonjë sfidë të re diku tjetër.

Real Madridi është interesuar që një kohë të gjatë për mesfushorin francez, por Sky Sports Italia raporton se Pogba do ta preferonte një transferim në Juventus, tre vjet pasi u largua nga ta për Unitedin, për një shumë që atëherë e theu rekordin (89 milionë funte).

Paratici u pyet për fituesin e Kupës së Botës, Pogbën, dhe yllin e Paris Saint-Germainit, Adrien Rabiotit – për të cilët ka gjithashtu spekulime se do t’i bashkohet Juventusit – gjatë prezantimit të Maurizio Sarrit si trajneri i ri i Juventusit.

“Ata janë lojtarë shumë të mirë. Pogba luan për Manchester Unitedin, ne e duam atë shumë natyrisht sepse ai ka luajtur këtu për disa vite. AI u rrit këtu dhe u bë kampion bote, kështu që natyrisht që na ka dhënë neve shumë. Por, ai është lojtar i Manchester Unitedit”, ka thënë Paratici.

“Gazzetta dello Sport” raporton se kampioni i Serisë A është i gatshëm ta fusë në marrëveshje për transferimin e Pogbas edhe anësorin brazilian, Douglas Costan. “Djajtë e kuq” e vlerësojnë Pogban mbi 150 milionë funte.

Mesfushori francez ka kontratë në Old Trafford deri në vitin 2021 dhe Manchester Unitedi dëshiron ta mbajë atë në skuadër. Mirëpo, pas tri sezoneve me ta, Pogba tha në një intervistë se ky momenti i duhur për ta përjetuar një sfidë të re.

Se a do të jetë kjo sfidë e re në Juventus apo në Real Madrid mbetet ende e paqartë. Megjithatë, Juventusi besohet se është favoriti për t’i siguruar shërbimet e francezit për sezonin e ardhshëm. 

(Kosova Sot Online)