Amir Rrahmani refuzon Standard Liegen, kërkohet në Serie A

  • 20 June 2019 - 16:42
Amir Rrahmani refuzon Standard Liegen, kërkohet në Serie A

Amir Rrahmani duket se nuk do t’i bashkohet skuadrës së Standard Liege në Belgjikë.

Është përfolur shumë se mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, do t’i bashkohet skuadrës së Standard Liege në Belgjikë, aty ku para ndeshjeve të “Dardanëve” në fillim të qershorit u transferua mbrojtësi tjetër kosovar, Mërgim Vojvoda.

Por, nga Italia vijnë të tjera lajme. Rrahmani tashmë e ka refuzuar skuadrën belge dhe menjëherë është hedhur në sulm skuadra nga Serie A, Hellas Verona, e cila ka shprehur interesim për 25-vjeçarin.

Kështu raporton “Inside Futboll”, derisa shkruan se Verona është e gatshme të paguajë 2 milionë euro për kartonin e mbrojtësit shqiptar, shifër kjo që vështirë se mund ta kënaq Dinamo Zagrebin.

Përveç Veronës, interesimin për mbrojtësin e Kosovës ka shprehur edhe skuadra e madhe skoceze, Celtic. 

Së fundmi, Amiri ishte kapiten i Kombëtares së Kosovës në ndeshjet e “Dardanëve”, kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Kosova mori një pikë në Podgoricë, duke barazuar 1-1 me Malin e Zi, derisa triumfoi 3-2 në udhëtim në Sofje, duke rrëmbyer pikët e plota.

(Kosova Sot Online)