Volejbollisti i Bosnje e Hercegovinës: Nuk do të pranoja kurrë të luaja kundër Kosovës

  • 20 June 2019 - 18:05
Volejbollisti i Bosnje e Hercegovinës: Nuk do të pranoja kurrë të luaja kundër Kosovës

Sportistët serbë e kanë nisur një fushatë për ta kundërshtuar paraqitjen kundër Kosovës, kur skuadra e tyre ose ekipi përfaqësues luan me “Dardanët”. Kështu ndodhi në futboll në ndeshjen Mali i Zi – Kosova dhe këtë e kanë paralajmëruar edhe volejbollistët serbë

Volejbollisti i Bosnje e Hercegovinës, Milos Popovic është zotuar se nuk do të pranonte kurrë të luajë për vendin e tij kundër Kosovës.

22 vjeçari është nga Banja Luka, por ka prejardhje serbe.

Prandaj, ai u ka thënë mediave serbe se, së bashku me volejbollistët tjerë serbë që e përfaqësojnë ekipin përfaqësues boshnjak, do të refuzonin të përballen me Kosovën, shtet të cilin nuk e njohin serbët.

Së fundmi, trajneri dhe dy futbollistë serbë të Malit të Zi refuzuan të përballen me Kosovën.

Dhe, rrugën e tyre duket se do ta ndjekin edhe sportistët tjerë serbë, në rast se ekipet apo përfaqësueset e tyre luajnë me Kosovën.

“Federata e Bosnje e Hercegovinës është e përbërë nga asociacioni i Republikës Serbe dhe nga ai i Bosnje e Hercegovinës. Edhe ekipi i Bosnjës është i përbërë nga disa futbollistë të Republikës Serbe. Kështu që, natyrisht se nuk do të luaj kurrë dhe me çfarëdo kushti kundër shtetit të vetëshpallur Kosova. Dhe, në një bisedë me kolegët e kam kuptuar se të gjithë lojtarët e nacionalitetit serbë e mendojnë të njëjtën. Unë jam serb, nuk e njoh pavarësinë e Kosovës dhe pikë. Mund ta merrni me mend se si do të dukej skuadra nëse nuk do të luanin volejbollistët serbë”, ka thënë Popovic për një të përditshme nga Banja Luka.

Sportistët serbë e kanë nisur një fushatë për ta kundërshtuar paraqitjen kundër Kosovës, kur skuadra e tyre ose ekipi përfaqësues luan me “Dardanët”. Kështu ndodhi në futboll në ndeshjen Mali i Zi – Kosova dhe këtë e kanë paralajmëruar edhe volejbollistët serbë. 

(Kosova Sot Online)