Reali e do Mbappen, por francezi “e do” Barcelonën

  • 20 June 2019 - 18:48
Reali e do Mbappen, por francezi “e do” Barcelonën

Barcelona, ky është klubi me të cilin Mbappe duket se shpesh luan në “PlayStation”.

Kylian Mbappé është një ndër futbollistët me të ardhme të ndritur.

20-vjeçari po kërkohet me ngulm nga Real Madridi, pasi shihet si pasardhësi më i mirë i Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, për të dominuar në botën e futbollit.

Por, derisa mediat vazhdojnë të spekulojnë për Madridin – Mbappe ka postuar video interesante në Instastory.

Talenti francez, që ka nisur tashmë pushimet, ka publikuar një video në Japoni duke luajtur PlayStation me një shok. Mbappe dëgjohet duke qeshur, i lumtur për fitoren me ekipin e tij, Barçën, që e mposhti 3-0 Manchester Cityn me golat e Vidal, Messi dhe Suárez.

Edhe ndeshjen e dytë, ku shoku kërkonte hakmarrje, Mbappe e fitoi 2-0 kundër Manchester City.

Ditë më parë, duke folur për të ardhmen, Mbappe tha “nuk dihet çfarë mund të ndodhë në futboll”, ku u pyet nëse mund të transferohet në MLS (Amerikë), derisa vazhdimisht s’e ka mohuar largimin nga PSG-ja.

Sipas asaj që raporton AS, Reali s’do të tentojë ta blejë Mbappen këtë verë – pasi tashmë në Madrid ka arritur një galaktik, është Eden Hazard.

20-vjeçari mund ta veshë fanellën e Los Blancos në vitin 2020.


(Kosova Sot Online)