Milani, në bisedime me Real Madridin për transferimin e disa lojtarëve

  • 21 June 2019 - 10:25
Milani, në bisedime me Real Madridin për transferimin e disa lojtarëve

Misteri rreth takimit të drejtuesve të Milanit me ata të Real Madridit po vazhdon ende dhe tani kuqezinjtë janë të lidhur me transferimin e Marco Asensios, Mateo Kovacicit dhe Martin Odegaardit.

Drejtuesit e Milanit, Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban, udhëtuan në Madrid të mërkurën për atë që përshkruhet nga mediat spanjolle e italiane si një takim të shkurtë me drejtuesin e “Los Blancos”, Jose Angel Sanchez.

Ende nuk është bërë e ditur se për kë ishin saktësisht të interesuar kuqezinjtë, pasi që fillimisht u raportua për Dani Ceballosin, Borja Mayoralin dhe madje edhe Isco thuhej se është nën radarin e Milanit.

Megjithatë, gazeta e madhe italiane, Corriere dello Sport, raporton se drejtuesit e Milanit u interesuar për anësorin e Spanjës, Marco Asension, dhe ish-lojtarin e Interit, Mateo Kovacicin.

Real Madridi duhet të shesë lojtarë pasi që vetëm tani në afatin kalimtar të verës i ka shpenzuar 303 milionë euro, për transferimin e lojtarëve si Eden Hazard e Luka Jovic. Asensio dhe Kovacic mund të largohet nga klubi madrilen për shkak të prurjeve të reja.

Ndërkohë, gazeta tjetër italiane, Gazzetta dello Sport, raporton se Maldini dhe Bobani shprehën interesim edhe për talentin norvegjez, Odegaard, i cili vlerësohet nga “Los Blancos” 30 milionë euro.

“Udhëtimi shkoi mirë. Jemi optimistë për këtë Milan”, tha mbrojtësi legjendar për Sky Sports Italia.

Pikërisht Sky Sports Italia raporton se Milani ishte i interesuar edhe për mbrojtësit Nacho Fernandez dhe Sergio Reguilon.

(Kosova Sot Online)