Kosova sot nis rrugëtimin në Lojërat Evropiane Minsk 2019

  • 21 June 2019 - 13:09
Kosova sot nis rrugëtimin në Lojërat Evropiane Minsk 2019

Kosova, me 12 sportistët që do ta përfaqësojnë, do ta nisë sot garimin në Lojërat Evropiane Minsk 2019, të cilat do të zhvillohet prej 21 deri më 30 qershor.

Gjithsej 12 sportistë do të tentojnë të shtojnë medalje të Lojërave Evropiane Minsk 2019 në kabinetin e Kosovës gjatë ditëve në vijim, në garën që zhvillohet në kryeqytetin e Bjellorusisë.

Në ditën hapëse të këtij turneu, në skenë do të dalë vetëm një sportiste kosovare. Ajo është shigjetarja Ardita Zejnullahu, e cila në orën 13:45 do të garojë në disiplinën Hark Olimpik.

Orari do të jetë më i ngjeshur për sportistët kosovarë të nesërmen, pasi që gjithsej gjashtë sportistë nga Kosova do të garojnë në disiplinat e tyre përkatëse.

Fillimisht, në orën 9:00 të mëngjesit do të garojë Fatih Karabaxhaku në pingpong në disiplinën “Individuale”, ndërsa vetëm 30 minuta më vonë pritet të fillojnë garimin tri xhudistët kosovare, Majlinda Kelmendi (kategorinë deri në 52 kilogramë), Nora Gjakova (kategorinë deri në 57 kilogramë) dhe Distria Krasniqi (kategorinë deri në 48 kilogramë).

Të shtunën, Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Evropianë edhe në sportin e boksit, përmes Patriot Behramit (14:00, kategoria deri në 69 kilogramë) dhe Ardit Delijajt (19:15, kategoria deri në 81 kilogramë).

Të dielën, Kosovën do ta përfaqësojnë tre sportistë: Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë në xhudo, Shpëtim Bajoku në kategorinë deri në 64 kilogramë në boks dhe Donjeta Sadiku në kategorinë deri në 60 kilogramë në boks.

Të hënën, Loriana Kuka do të kompletojë skuadrën e xhudistëve me ndeshjen që pritet të fillojë në orën 9:30, në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Së fundi, në ditën e parafundit të Lojërave Evropiane, më 29 qershor, karateisti Alvin Karaqi do të jetë sportisti i fundit që e ka mundësinë t’ia fitojë Kosovës një medalje të artë, përmes garimit në kategorinë deri në 84 kilogramë, të cilën do ta fillojë në orën 17:30.

Në sportet e xhudos dhe karatesë, garuesit kosovarë i mbyllin garat brenda ditës. Në boks, shigjetari dhe pingpong, garat vazhdojnë çdo ditë, varësisht nga suksesi i sportistëve nga Kosova. 

(Kosova Sot Online)