“Nëse Serbia luan në Bosnje, Bosnja do të luajë me Kosovën në Serbi”

  • 21 June 2019 - 17:37
“Nëse Serbia luan në Bosnje, Bosnja do të luajë me Kosovën në Serbi”

Presidenti i Federatës së Volejbollit të Bosnje e Hercegovinës, Alija Fatic i ka paralajmëruar serbët të mos tentojnë ta zhvillojnë ndeshjen e paralajmëruar si vendës në territorin boshnjak. Në të kundërtën, ai ka thënë se Bosnja do të luajë si vendëse me Kosovën në Serbi

Alija Fatic, president i Federatës së Volejbollit të Bosnje e Hercegovinës është kategorikisht kundër që Serbia të zhvillojë aktivitete sportive në territorin boshnjak, aq më pak nëse nuk e bën kërkesën dhe paralajmërimin.

Në fakt, ekipi i femrave të Serbisë ka paraparë që të zhvillojë ndeshje me Azerbajxhanin më 17 korrik të këtij viti në palestrën “Peki Hall” në Pale të Bosnjës.

Sipas kreut të volejbollit boshnjak, serbët nuk e kanë parë as të arsyeshme të kërkojnë leje për ta zhvilluar këtë ndeshje, ndërsa nuk kishin kërkuar leje as vitin e kaluar, kur ekipi i femrave të Serbisë kishte luajtur volejboll gjithnjë në territorin boshnjak.

“Nëse kjo ndeshje do të luhet, ne do ta organizojmë një ndeshje në Novi Pazar kundër Kosovës apo Turqisë. Ta shohim se si Zoran Gajic dhe Federata e Volejbollit të Serbisë do të ndihet me atë rast. Tek ne nuk ka arritur asnjë kërkesë nga serbët”, ka thënë kreu i volejbollit boshnjak për Radiosarajevo.ba.

Novi Pazari është pjesë e Serbisë, e populluar kryesisht me boshnjakë.

Gjithashtu, ai u është përgjigjur serbëve, duke insistuar se Bosnje e Hercegovina do të luajë me Kosovën në ndeshje kualifikuese në volejboll, përkundër faktit se volejbollistët serbë që e përfaqësojnë Bosnjën kanë paralajmëruar se nuk do të paraqiten në parket kur ky ekip do të përballet me Kosovën, shtet të cilin nuk e njohin.

(Kosova Sot Online)