Zbulohet detajet e takimit Sarri –Ronaldo

  • 22 June 2019 - 16:43
Zbulohet detajet e takimit Sarri –Ronaldo

Maurizio Sarri e ka marrë drejtimin e Juventusin dhe njëra ndër punët e tij të para në pozitën e trajnerit ishte ta zhvillonte një takim me yllin e skuadrës, Cristiano Ronaldon.

Ish-trajneri i Napolit dhe Chelseat është kthyer në Serie A pas një sezoni në Premierligë në Stamford Bridge. Ai e ka trashëguar një skuadër plot yje të lënë në Torino nga Massimiliano Allegri.

Sarri dëshiron që të sigurohet se të gjithë në skuadër janë në pajtim me planin e tij për sezonin 2019/20 në mënyrë që të mos i ketë problemet në skuadër që i kishte sezonin e kaluar në Chelsea.

Ronaldo do ta luajë një rol shumë të rëndësishëm në skuadrën e Juventusit sezonin e ardhshëm dhe trajneri i tij e bëri një udhëtim të veçantë për t’u takuar me portugezin. Sarri e vizitoi Ronaldon në rivierën franceze të premten.

Drejtori sportiv, Fabio Paratici, ishte gjithashtu i pranishëm në këtë takim, ku u zbulua plani i bardhezinjve për sezonin e ardhshëm.

Pjesa kryesore e këtij takimi ishte propozimi i Sarrit që Ronaldo të luajë në pozitën e qendërsulmuesit gjatë sezonit të ardhshëm, pasi që ai e do portugezin brenda 16-metërshit gjatë gjithë kohës për të shënuar sa më shumë gola.

Megjithatë ende nuk dihet nëse Ronaldo pajtohet me këtë vizion të ri, pasi që ai në të kaluarën e kishte refuzuar këtë pozitë në Real Madrid. Portugezi preferon të luajë në një rol më të lirë në fazën e sulmit. 

(Kosova Sot Online)