Sportistët që do ta përfaqësojnë sot Kosovën në Lojërat Evropiane

  • 23 June 2019 - 08:22
Sportistët që do ta përfaqësojnë sot Kosovën në Lojërat Evropiane

Pas medaljes së artë të Majlinda Kelmendit dhe të argjendtës së Nora Gjakovës në ditën e dytë të Lojërave Evropiane Minsk 2019 të shtunën, sot Kosovën do ta përfaqësojnë tre sportistë – Akil Gjakova, Shpëtim Bajoku dhe Donjeta Sadiku.

Kosova, me 12 sportistët që do ta përfaqësojnë, e nisi të premten garën në Lojërat Evropiane Minsk 2019, të cilat do të zhvillohen prej 21 deri më 30 qershor, raporton Gazeta Express.

Gjithsej 12 sportistë do të tentojnë të shtojnë medalje të Lojërave Evropiane Minsk 2019 në kabinetin e Kosovës gjatë ditëve në vijim, në garën që zhvillohet në kryeqytetin e Bjellorusisë. Por, kush do të garojë sot?

Të dielën, pra sot, Kosovën do ta përfaqësojnë tre sportistë: Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kilogramë në xhudo, Shpëtim Bajoku në kategorinë deri në 64 kilogramë në boks dhe Donjeta Sadiku në kategorinë deri në 60 kilogramë në boks.

Të hënën, Loriana Kuka do të kompletojë skuadrën e xhudistëve me ndeshjen që pritet të fillojë në orën 9:30, në kategorinë deri në 78 kilogramë.

Së fundi, në ditën e parafundit të Lojërave Evropiane, më 29 qershor, karateisti Alvin Karaqi do të jetë sportisti i fundit që e ka mundësinë t’ia fitojë Kosovës një medalje të artë, përmes garimit në kategorinë deri në 84 kilogramë, të cilën do ta fillojë në orën 17:30.

Në sportet e xhudos dhe karatesë, garuesit kosovarë i mbyllin garat brenda ditës. Në boks, shigjetari dhe pingpong, garat vazhdojnë çdo ditë, varësisht nga suksesi i sportistëve nga Kosova.

(Kosova Sot Online)