Milot Rashica i gëzohet medaljes së artë të Majlinda Kelmendit

  • 23 June 2019 - 09:05
Milot Rashica i gëzohet medaljes së artë të Majlinda Kelmendit

Ylli i Kombëtares së Kosovës në futboll, Milot Rashica, e ka mirëpritur triumfin e Majlinda Kelmendit në Lojërat Evropiane 2019 të shtunën, duke u ndier falënderues ndaj bashkatdhetares së vet për medaljen e artë në Minsk.  

Kelmendi ia solli Kosovës medaljen e parë të  artë historike nga Lojërat Evropiane të shtunën në Minsk të Bjellorusisë. Ajo e fitoi medaljen e artë në garën e xhudos.

Kelmendi iu gëzua triumfit historik pas një paraqitjeje brilante në finale duke e mposhtur me ippon kampionen e deritashme, rusen Natalia Kuziutina.

Rashica, i cili po shkëlqen me ekipin kombëtar të futbollit, i është gëzuar medaljes së artë të Majlindës. Ai e ka postuar një fotografi të heroinës Kosovare në llogarinë e vet zyrtare në Instagram dhe pranë saj edhe një emotikon falënderues bashkë me flamurin e Kosovës.

Është kjo medalja e parë e artë në histori të Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt i kampiones së Evropës. Garat e xhudos në Minsk shërbejnë edhe si Kampionate Evropiane.

Kosova deri tani i ka fituar dy medalje në Lojërat Evropiane Minks 2019, pasi Nora Gjakova e rrëmbeu medaljen e argjendtë të shtunën po ashtu. 

Image

 

(Kosova Sot Online)