32 vite të arta

  • 24 June 2019 - 09:14
32 vite të arta

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, sot feston ditëlindjen e 32-të. Ai ka fituar gjithçka që është e mundur të fitohet për një lojtar, në aspektin personal dhe ekipor – 34 trofe me Barcelonën, 5 “Topa të Artë”, 6 “Këpuca të Arta” e shumë çmime tjera individuale.

24 qershori është ditë e veçantë, dita kur lindi futbollisti që konsiderohet më i miri i të gjitha kohëve, Lionel Messi.

Messi është vet futbolli, njeriu që ka lënë gjurmë në botën e futbollit për këto vite dhe ka shkruar histori duke thyer rekorde të shumta deri më tani e që premton se do të vazhdojë ta bëjë këtë derisa t’i varë atletet.

Ai është pjesë e Barcelonës që nga viti 2000, kurse është promovuar në ekipin e parë në vitin 2004 – që nga atëherë, Leo ka bërë që e gjithë bota e futbollit të dashurohet në të, në magjitë e tij, në spektaklin që “pleshti” dhuron pothuajse çdo ndeshje në fushë.

Ai është fitues i pesë “Topave të Artë”, aq sa ka edhe Cristiano Ronaldo, ndërsa është i paarritshëm me çmime të “Këpucës së Artë”, gjithsej 6 duke e llogaritur edhe të fundit që e fitoi, e që do ta marrë në fillim të sezonit 2019/20.

15 sezone me ekipin e parë të Barcelonës, 687 ndeshje, 603 gola dhe 231 asiste – Messi ka shkruar histori me klubin katalunas dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në fundin e kontratë, që i skadon më 2021, por tifozët duhet të jenë të qetë sepse Presidenti i klubit, Bartomeu, ka premtuar se shumë shpejtë do të vijë edhe rinovimi.

Messi ka fituar gjithçka që është e mundur të fitohet për një lojtar, në aspektin personal dhe ekipor – 34 trofe me Barcelonën, 5 “Topa të Artë”, 6 “Këpuca të Arta” e shumë çmime tjera individuale – derisa është favorit që ta rrëmbejë Topin e Artë edhe për vitin 2019.

Ai shkroi histori edicionin që lamë pas, duke fituar trofeun e 10-të të La Ligas me Barcelonën, futbollisti i vetëm në histori që e arrin këtë – me një fjalë 32-vjeçari ka ndryshuar historinë e klubit katalunas.

E vetmja gjë që po i mungon 10-shit magjik është “Kupa e Botës”, trofe që ishte afër ta fitojë në vitin 2014, ku Argjentina humbi në finale nga Gjermania pas vazhdimeve me rezultatin minimal 1-0, përcjell Express.

Messi do të tentojë këtë verë t’i bëjë dhuratë vetës duke triumfuar në Kupën e Amerikës, ku Argjentina mbrëmë siguroi çerekfinales pas triumfit 2-0 ndaj Katarit.

Ditën kur ai t’i varë atletet, asgjë më nuk do të jetë e njëjtë, andaj, analistë, trajnerë e shumë legjenda të futbollit tashmë në pension, këshillojnë që tifozët t’i shijojnë magjitë e 10-shit të Barcelonës edhe këto vite sa i kanë mbetur.

(Kosova Sot Online)