Përse nuk luajti kundër Kosovës? Përgjigjet shkurt futbollisti serb i Malit të Zi

  • 24 June 2019 - 15:30
Përse nuk luajti kundër Kosovës? Përgjigjet shkurt futbollisti serb i Malit të Zi

Mirko Ivanic së bashku me serbin tjetër, Filip Stojkovic nuk kishin pranuar të luanin për Malin e Zi kundër Kosovës, në ndeshjen kualifikuese të Euro 2020. Ai nuk ka dashur të japë përgjigje rreth rastit të Kosovës.

Mirko Ivanic, së bashku me shokun e tij, Filip Stojkovic nuk kishin pranuar të luanin për Malin e Zi kundër Kosovës këtë muaj, në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian 2020.

Ky vendim kontrovers iu ka kushtuar rëndë dy futbollistëve serbë, të cilët nuk do të jenë më pjesë të ekipit përfaqësues të Malit të Zi.

Njëjtë e ka pësuar edhe trajneri Ljubisa Tumbakovic, i cili për shkak të presioneve dhe kërcënimeve nga Beogradi, nuk kishte pranuar ta drejtonte ekipin e Malit të Zi ndaj “Dardanëve”, me ç’rast ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga Federata Malazeze e Futbollit.

E Ivanic, i cili është pjesë e Crvena Zvezdës, është treguar diplomat kur është pyetur për ndeshjen e famshme kundër Kosovës, në të cilën malazezët barazuan 1:1 në Podgoricë.

“Vendim i Crvena Zvezdës është të mos flas gjëra të ndjeshme. Nuk dua të flas se përse vendosa të mos luaja kundër Kosovës”, është shprehur ish-mesfushori i Vojvodinës dhe BATE Borisovit.

Ivanic i ka zhvilluar 15 ndeshje për Malin e Zi dhe e ka realizuar një gol.

Ai kishte shënuar në miqësoren e vitit të kaluar kundër Turqisë në Podgoricë. 

(Kosova Sot Online)