Edi Reja: Shqipëria do të luajë për gjithçka kundër Turqisë

  • 25 June 2019 - 14:44
Edi Reja: Shqipëria do të luajë për gjithçka kundër Turqisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, në një intervistë të dhënë për të përditshmen Italiane, Gazetta Dello Sport, ka dhënë opinionin e tij rreth aventurës kuqezi, gjendjes së ekipit dhe shanseve që ka për t’u kualifikuar në Europian.

Intervista e trajnerit nis me një analizë të shkurtër për dy sfidat e tij të para zyrtare në krye të stolit kuqezi. Sa i përket ndeshjes me Islandën reja është shprehur: “Skuadra nuk e meritonte humbjen, pasi kundërshtari mundi të bënte vetëm një gjuajtje në portë, ndërsa ndaj Moldavisë, rigjetëm krenarinë dhe besimin tek vetja. Tifozët prej kohësh nuk e kishin parë ekipin të bënte një lojë të tillë.”

Më tej Edi Reja është shprehur se ofertat ndaj tij në Itali nuk kanë munguar, madje, pas aventurës së tij tek Atalanta, i është propozuar stoli i Udineses, Beneventos dhe Veronës, por dëshira e tij është që ta mbyllë karrierën ne nivel kombëtareje.

“Në momentin kur presidenti Duka më ka telefonuar e kam pranuar menjëherë ofertën”, shtoi ai.

Por sa janë shanset që kuqezinjtë të kualifikohen në Europian? Tekniku 73-vjeçar është shprehur se pas përfundimit të kualifikueseve ekzistojnë mundësitë që bashkëpunimi të vazhdojë. Sipas tij, “ndaj Turqisë do të luhet për gjithçka.”

Reja zbuloi se ka patur edhe një telefonatë me kryeministrin, Edi Rama, me këtë të fundit që është përpjekur ta bindë që të drejtojë Shqipërinë.

Për Tiranën Reja shprehet se është një qytet i madh, i cili çdo ditë zhvillohet, ndërsa shqiptarët i cilëson si njerëz që e kanë pasion futbollin dhe i kujtojnë Napolin.

Në fund Reja ka folur edhe për Berishën për të cilin është shprehur se këtë sezon ka bëre disa gabime, që e kanë penalizuar atë, por duke qenë se Strakosha është i dëmtuar dhe do të qëndrojë jashtë për një kohë të gjatë jashtë, do të jetë Berisha titullar.

(Kosova Sot Online)