ZYRTARE: Gjilani transferon mesfushorin Qëndrim Dautaj

  • 26 June 2019 - 10:26
ZYRTARE: Gjilani transferon mesfushorin Qëndrim Dautaj

Gjilani vazhdon me përforcime për edicionin e ardhshëm. Gjilanasit e kanë transferuar sot mesfushorin kualitativ, Qëndrim Dautaj, i cili e kaloi një sezon fantastik tek Ferizaj

Qëndrim Dautaj është futbollisti më i ri i Gjilanit.

Dautaj, emër i njohur në futbollin kosovar, në Gjilan transferohet pas një edicioni të kaluar tek KF Ferizaj.

Në fakt, për Dautajn bëhet fjalë për një rikthim në skuadrën e Gjilanit, pasi ai para disa edicioneve ishte pjesë e këtij ekipi, ku për një stinor kishte mbrojtur ngjyrat e ekipit kuq e bardh.

Qëndrim Dautaj, i lindur në Deçan, karrierën e tij e nisi në vendlindje me skuadrën e Deçanit ku edhe u afirmua në futbollin e Kosovës, njofton klubi gjilanas përmes grupit zyrtar në Facebook.

Paraqitjet në futbollin kosovar, Dautaj i vazhdoi edhe për disa skuadra të ndryshme sikurse ajo e Besës së Pejës, Flamurtarit, Llapit e Ferizajt, skuadër nga e cila u transferua në ekipin e Gjilanit.

Pas disa problemeve shëndetësore, ku u penalizua nga disa dëmtime, mesfushori Dautaj rikthimin e formës se tij e bëri me skuadrën e Ferizajt, që në “sprintin” final të kampionatit ishte lojtari kyç i ferizajasve në fitoret, të cilat ia siguruan mbijetesën në IPKO Superligë.

Gjatë edicionit të kaluar, Qëndrim Dautaj tek Ferizaj i shënoi 6 gola dhe i realizoi 4 asistime, me ç’rast ishte edhe ndër mesfushorët më produktivë në elitën e futbollit kosovar.

(Kosova Sot Online)