Munishi: Prishtina mund ta eliminojë edhe Rangersin nga Europa League

  • 26 June 2019 - 11:11
Munishi: Prishtina mund ta eliminojë edhe Rangersin nga Europa League

Ismet Munishi e ka paralajmëruar ekipin e Steven Gerrardit se nuk do të ketë punë aspak të lehtë në përballjen me Prishtinën në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues

Trajneri kosovar, Ismet Munishi thotë se FC Prishtina ka kapacitet për ta befasuar Rangersin në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues.

Mirëpo, Bardhekaltrit fillimisht do të kenë punë me ekipin St Joseph’s nga Gjibraltari në fazën parakualifikuese para se ta sigurojnë të drejtën të luajnë me skuadrën skoceze.

Sidoqoftë, trajneri i ri i Ballkanit beson fuqishëm se skuadra e Mirel Josës do ta kalojë pa problem kundërshtarin e ardhshëm dhe më pas t’i mat forcat me ekipin e Steven Gerrardit.

“FC Prishtina është ekip i madh dhe besoj se do të bëhet edhe më e fortë gjatë verës. Ata kanë bërë disa përforcime vërtet impresionuese. Prishtinasit i kanë transferuar lojtarët më të mirë në ligë nga Llapi, Drita e Drenica, duke e pasuruar ekipin e tyre”, është shprehur ish-futbollisti i njohur kosovar për “dailyrecord.co.uk”.

“FC Prishtina do ta kalojë lehtësisht ekipin St Joseph’s, nuk ka asnjë dyshim këtu. Më pas, do t’i duhet të mendojë për ndeshjen me Rangers dhe mendoj se prishtinasit mund të kualifikohen tutje. Prishtina ka besim të plotë dhe besoj se fitorja ndaj ekipit skocez do të ishte një rezultat magjik për futbollin e vendit tonë”, përfundoi Munishi.

Prishtina do ta zhvillojë ndeshjen e parë të rrethit parakualifikues të Europa Leagues me ekipin St Joseph’s të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtina.

(Kosova Sot Online)