Jep tre dhe merr dy; skenar i paparashikueshëm Juve-Roma

  • 26 June 2019 - 11:56
Jep tre dhe merr dy; skenar i paparashikueshëm Juve-Roma

Ndonjëherë, merkatoja e futbollit mund të marrë rrugë të paimagjinueshme deri para pak kohësh, të ofrojë skenarë të paparashikueshëm. Pak a shumë si pista që mund të lindë mes Romës, në njërën anë, dhe Juventusit, nga ana tjetër. Gjithçka sillet rreth Nicolò Zaniolo, talentit të shumëdëshiruar nga Fabio Paratici.

Kampionët italianë do të dëshironin të ndërhynin në ngërçin e krijuar për rinovimin e kontratës, çka nuk është përcaktuar ende mes lojtarit të datëlindjes 1999 dhe klubit verdhekuq. Ndoshta duke iu kërkuar kryeqytetasve edhe Luca Pellegrini, një talent tjetër i pastër, i dërguar për t’u “farkëtuar” te Cagliari në pjesën e dytë të sezonit të kaluar. 

Sipas “La Stampa”, për këta të dy, Juventusi do të jetë gati të ofrojë tre lojtarë të vetët: Mattia Perin (shumë i mirëpritur në Romë), Leonardo Spinazzola dhe Gonzalo Higuain. Ky i fundit kaloi një vit zhgënjyes mes Milanit dhe Chelsea.

Për t’i komplikuar planet e “Zonjës së Vjetër” mendon vetë “Pipita”, i cili nuk do të preferonte një transferim në hijen e Koloseut. Nga ana tjetër, fjalët e vëllait të tij, dhe agjentit, Nicholas, ishin mjaft të qarta për këtë: “Në Itali, Gonzalo do të luante vetëm me Juventusin”.

Argjentinasi fiton një pagë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, deri në vitin 2021, ndaj nuk ka ndërmend të bjerë dakord me një reduktim të saj, me Romën që mund të shtyjë deri në një maksimum prej 6 milionë euro, duke i ofruar kontratë për pesë vite. Roli i rezervës te Juventusi do të përfaqësohej nga Mario Mandzukiç, i cili nuk është më si 12 muaj më parë.

Ndërkohë, Roma është duke përfunduar shitjen në Kinë, te Shenhua, të Stephan El Shaarawy, si dhe lamtumirën e Kostas Manolas, i cili është një hap larg Napolit. Të dyja operacionet do të sigurojnë fitime të konsiderueshme.

(Kosova Sot Online)