Para Shqipërisë, Edy Reja ishte afër Sllovenisë

  • 26 June 2019 - 12:23
Para Shqipërisë, Edy Reja ishte afër Sllovenisë

Trajneri i Kombëtares shqiptare ka zbuluar se para se t’i bashkohej Kombëtares shqiptare kishte kontakte me Federatën Sllovene të Futbollit, por ky kalim kishte dështuar në fund

Edy Reja kishte plane tjera para se t’i bashkohej Kombëtares shqiptare.

Në fakt, trajneri italian zbulon se ishte në kontakte të vazhdueshme dhe të avancuara me Federatën Sllovene të Futbollit, por që në fund ky kalim kishte dështuar.

Më pas i kishte ardhur oferta nga Shqipëria, të cilën e kishte pranuar pa menduar dy herë.

“Isha i lodhur duke udhëhequr skuadra. Pas Atalantas, i kisha refuzuar disa propozime interesante si Udinese, Benevento e Verona. Dëshiroja ta mbyllja karrierën me një sfidë të re: një Kombëtare. Isha afër Sllovenisë, por gjërat nuk shkuan si duhet dhe dështoi ky destinacion. Kur ka arritur ftesa nga Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit, e kam pranuar menjëherë”, ka thënë Reja për “La Gazzetta dello Sport”.

Trajneri i njohur italian ka folur edhe për Etrit Berishën, të cilin e njeh që një kohë të gjatë pasi kishte punuar me të së bashku në Lazio.

“Berishën e kam drejtuar tek Lazio, e di se sa vlen. Këtë vit është penalizuar nga disa gabime, por nuk diskutohet Kombëtarja për të, mbi të gjitha për faktin se Strakosha do të mbetet për një kohë të gjatë jashtë fushave për shkak të lëndimit”, ka përfunduar trajneri italian. 

(Kosova Sot Online)