Alvin Karaqi përballet nesër me medalistë botërorë e evropianë në Lojërat Evropiane

  • 28 June 2019 - 16:06
Alvin Karaqi përballet nesër me medalistë botërorë e evropianë në Lojërat Evropiane

Karateisti kosovar do ta mbyllë eksperiencën e Kosovës në “Minsk 2019” me pjesëmarrjen e tij të shtunën në karate, ku do të ketë punë me medalistë evropianë e botërorë

Alvin Karaqi i ka mësuar kundërshtarët e tij për garat e karatesë në Lojërat e dyta Evropiane “Minsk 2019”.

Karateisti ynë në kategorinë -84 kilogramë, ndodhet në grupin B, ku bartës i grupit është kampioni i  tanishëm botëror, Ivan Kvesic nga Kroacia, njëherit kampion edhe i Evropës për vitin e kaluar.

Dy kundërshtarët tjerë janë nënkampioni i tanishëm botëror, Valerii Chobotar i Ukrainës dhe Nikola Malovic i Malit të Zi, medalist i bronztë në evropianin e këtij viti të mbajtur në Guadalajara të Spanjës.

Garat e karatesë zhvillohen në grupe.

Në kategorinë e Alvinit janë tetë garuesit më të mirë të Evropës, të ndarë në dy grupe. Garat zhvillohen secili me secilin, kurse në gjysmëfinale kalojnë dy të parët e grupit.

“Është short shumë i vështirë. Janë të gjithë medalist botëror dhe evropian. Luftën e parë e ka me Kvesic, që është bartës i grupit nga renditja e Minskut. Pres që Alvini të tregoj më të mirën”, tha trajnerja e tij, Shqipër Zogiani për “noc-kosovo.org”.

Karateisti ynë nuk ka preferuar të flasë, duke dashur ta ruajë gjithë fokusin tek garat.

Luftën e parë, Alvini e zhvillon me kroatin Kvesic, të cilin e kishte mposhtur në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018, por që ka edhe humbje ndaj tij.

Të dytën e zhvillon me Chobotar të Ukrainës, kurse të tretën me malazezin Malovic.

Karaqi në Lojërat Evropiane Baku 2015 kishte zënë vendin e katërt, duke i ikur për pak medalja.

Garat fillojnë nesër, ndërsa kategoria e Alvinit fillon në ora 12:00 me kohën tonë lokale.

Karaqi është garuesi i fundit i Kosovës që do të përfaqësohet në “Minsk 2019”.

Image

 

(Kosova Sot Online)