Sulmi i Barcelonës me 38 gola më shumë se ai i Real Madridit

  • 29 June 2019 - 09:19
Sulmi i Barcelonës me 38 gola më shumë se ai i Real Madridit

Me Neymar dhe Griezmann, sulmi i Barçës do të kapte shifrën e 120 golave. Ai i Madridit, me transferimet e reja, arrin në 82; Jovic (27), Hazard (21), Benzema (30) dhe Vinicius (4)…

Ernesto Valverde dhe Zinedine Zidane pritet të kenë sulme të frikshme sezonin e ardhshëm.

Është pak e besueshme, por Barcelona është rrugës për ta bërë realitet sulmin më të frikshëm që është parë ndonjëherë; Neymar, Messi, Griezmann dhe Suarez.

Braziliani i Paris Saint Germain dëshiron të kthehet në Barcelonë, derisa ka kohë që raportohet se është arritur marrëveshja për Antoine Griezmann, që do të kalojë te ekipi nga Camp Nou për 120 milionë euro.

Sezonin që lamë pas Messi shënoi (51), Suárez (25), derisa me Neymarin që ka shënuar (23) dhe Griezmann (21), katërshja e Barcelonës do të shkonte në 120 gola, 38 më shumë se katërshja e Real Madridit, Benzema-Jovic-Hazard-Vinicius.

Me afrimin e Jovic dhe Hazard, Reali ka blerë 48 gola, derisa edhe me 30 të Benzemas e 4 të Vinicius, totali arrin në 82 gola.

MSN, e frikshme edhe pa Antoine Griezmann

Veç bashkimi i treshes Neymar-Suarez-Messi, është e frikshme për cdo kundërshtarë, të cilët së bashku te Barcelona për tre sezone kanë shënuar 364 gola dhe kanë dhuruar 211 asistime.

Treshja, që janë edhe shokë shumë të mirë, çdo sezon kanë shënuar së paku 100 gola. 

122 i shënuan në sezonin 2014/15 (dhe kjo me Suarezin që ka luajtur pas 26 tetorit), rekordin e thyen në sezonin 2015/16 me 131 gola, që vazhdon të jetë sezoni më i mirë i kësaj treshe.

Derisa në sezonin e fundit të tyre së bashku në Barcelonë, 2016/17 ata shënuan 111 gola, statistika që tregojnë se do të jenë sërish të frikshëm nëse bëhen bashkë.

Sulmi i Barcelonës vlen 510 milionë euro, kurse ai i Los Blancos 320 milionë

Sulmi i Barcelonës është me i vlefshëm se ai i Real Madridit, dallimi është shumë i madh.

Messi-Neymar-Griezmann-Suárez vlejnë 510 milionë euro, kurse Hazard, Benzema, Jovic dhe Vinicius 320 milionë sipas “Transfermarkt”.

Neymar 180 milionë, 150 Messi, 130 Griezmann dhe 50 milionë Luis Suárez.

Kurse më i vlefshmi për Realin është Hazard me 150 milionë, 70 Vinicius, 60 Jovic dhe 40 Benzema.

(Kosova Sot Online)