Udhëheqësi, talent dhe rrënjë shqiptare: Kaosi emocional i Florijana Ismailit të zhdukur

  • 30 June 2019 - 16:05
Udhëheqësi, talent dhe rrënjë shqiptare: Kaosi emocional i Florijana Ismailit të zhdukur

Orë frike dhe ankthi për Florijana Ismailin, mesfushoren e ekipit kombëtar të Zvicrës dhe të Yong Boys, e cila u zhduk dje pas dite pasi kishte kërcyer në ujë në Liqenin Como. Kërkimet nga zhytësit dhe brigadat e zjarrfikësve po vazhdojnë, por momentalisht pa rezultat pozitiv.

Historia: Florijana ishte lindur në Aarberg para 24 vjetëve dhe u rrit bashkë me dy vëllezër në rrethinën Seeland (Kanton i Bernit). Prindërit e saj, me prejardhje shqiptare, u zhvendosen në Zvicër për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Sipas portalit zviceran Die11, Florijana e kishte trashëguar pasionin për futbollin nga babai i vet.

Nga mosha e hershme, shoqëruesi i saj më besnik ishte topi. Aftësitë e saja ia kishin tërhequr vëmendjen një trajneri, i cili e kishte parë atë duke luajtur në Credit Suisse Cup, ligën zyrtare të shkollës në Zvicër. Më vonë, ajo u bë ambasadore e kësaj shkolle. Në fillim, prindërit e saj kishin qenë skeptik se a ta lejonin apo jo të luajë futboll vajzën e tyre, por me kohë ata u binden për talentin e saj. Në moshën 10 vjeçe, ajo iu bashkua klubit të parë, FC Walperswil. Më vonë, në moshën 15 vjeçe, ajo kaloi te Young Boys dhe vetëm pas një viti, Florijana ia doli të futej në ekipin e parë, duke e fituar titullin e ligës.

Në vitin 2014, Florijana debutoi për ekipin kombëtar të Zvicrës, ndërsa më 2015 debutoi edhe në Kupën e Botës për Gra.

Kaosi emocional: Për Florijana Ismailin, futbolli është kaos emocional, një shprehje kjo e përdorur për t’i përshkruar emocionet që e kishin kapluar atë në vitin 2017, kur në fanellën e Zvicrës, Florijana u përball me vendin e origjinës, Shqipërinë.

Një moment vërtet emocional, siç e kishte përshkruar vetë futbollistja. Aq emocional saqë ajo kishte ndier marramendje duke i parë prindërit e vet në tribunë ndërkohë që himni i Shqipërisë po këndohej në fushë. 

(Kosova Sot Online)