Guardiola: S’e braktis të bukurën Premierligë për Barçën apo Bayernin

  • 01 July 2019 - 10:02
Guardiola: S’e braktis të bukurën Premierligë për Barçën apo Bayernin

Pep Guardiola ka thënë se nuk do ta braktisë, siç e ka quajtur, të bukurën Premierligë, për t’u kthyer të ish-klubet e tij, Barcelona apo Bayern Munich – duke këmbëngulur se në Manchester City ka gjithçka që i nevojitet.

City e fitoi titullin e dytë në dy sezone nën udhëheqjen e Guardiolës sezonin e kaluar, duke e lënë prapa Liverpoolin në një garë të nxehtë për trofeun e çmueshëm të Premierligës, duke i grumbulluar 98 pikë, dy më pak se rekordi që e kishte arritur sezonin paraprak, 2017/18, prej 100 pikëve.

Kritikët kanë ngritur pyetje nëse ish-trajneri i Barçës, i cili e shndërroi klubin e tij të vjetër në njërin prej ekipeve më të mira në botë duke i fituar tre tituj në La Liga dhe dy në Ligën e Kampionëve në një periudhë prej 2008 deri më 2012, do të ishte në gjendje ta përsëriste suksesin e njëjtë edhe jashtë Spanjës. 

Ai i ka fituar tre tituj në Bundesligë në tri sezone me Bayernin, por dështoi ta fitojë Ligën e Kampionëve, duke u eliminuar në gjysmëfinale të tri sezonet e tij në Gjermani.

Por, edhe pse është eliminuar nga Liga e Kampionëve në çerekfinale në dy sezonet e tij me City, ai e ka shndërruar gjigantin anglez në njërin prej ekipeve më të mira në historinë 27-vjeçare të Premierligës.

“Çfarë më pëlqen më shumë është se unë e kam dëshmuar se ata që thanë se ne nuk mund ta luajmë si në Gjermani edhe në Premierligë, ishin gabim”, tha Guardiola në një intervistë me gazetën katalonase Ara.

“Unë kam gjithçka këtu në City, sinqerisht, gjithçka që më duhet. Është më e vështirë të punoj në shtëpi (Spanjë), sepse emocionet janë shumë të mëdha dhe konferencat për media janë të vështira”, shtoi ai.

“Unë kam gjithçka që e dëshiroj për ta bërë punën time. Nuk do të kthehem në Barcelonë apo në Gjermani. Ku mund të kem lehtësira për të luajtur në një ligë kaq të bukur si Premierliga?” pyeti ai.

(Kosova Sot Online)