Zhdukja e futbollistes shqiptare, flet shoqja e Florijana Ismailit

  • 01 July 2019 - 11:36
Zhdukja e futbollistes shqiptare, flet shoqja e Florijana Ismailit

Shoqja e Florijana Ismailit, futbollistes shqiptare që u zhduk në liqenin italian, Como, të shtunën pasdite, fillimisht kishte menduar se 24-vjeçarja po tallej me të, para se ta kuptonte se situata ishte serioze dhe të kërkonte ndihmë për të.

Futbollistja me origjinë shqiptare e Kombëtares së Zvicrës dhe Young Boys, Ismaili, ishte futur në ujë në liqenin Como të shtunën pasdite dhe që prej atëherë figuron e zhdukur. Brigada të zjarrfikësve dhe zhytës bënë përpjekje për gjetjen e saj gjatë gjithë ditës së diel, por pa rezultat.

24-vjeçarja kishte kërcyer në ujë nga një anije që e kishte marrë me qira bashkë me një mike të veten dhe prej atëherë nuk është shfaqur më. Mikja e saj kishte kërkuar ndihmë menjëherë dhe një ekip i shpëtimit kishte arritur në vendin e ngjarjes.

Sipas personin i cili ua kishte lëshuar me qira anijen, mikja e Ismailit kishte menduar se shqiptarja po bënte shaka, para se ta ndryshonte mendjen dhe të kërkonte ndihmë për të. 

I intervistuar nga Blick, ai kishte thënë: “Unë u kujdesa për shoqen e saj deri në mesnatë. Ajo ishte plotësisht e tronditur”.

Operacioni për shpëtimin e saj po vazhdon, tani me ndihmën e një roboti, sipas mediave zvicerane.

Shpresat që ajo të gjendet e gjallë pas pak shumë orësh janë të vogla. Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kërkimet edhe sot në liqenin që thuhet se është 100 metra i thellë.

Roboti, i cili do të përdoret në kërkime, do t’i kryejë ato në fund të liqenit, aty ku zhytësit e kanë të vështirë të arrijnë.

Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.

(Kosova Sot Online)